Atentat me armë zjarri në Shkodër, plagosen shefi i policisë bashkiake të Malësisë së Madhe dhe i ati
Shefi i Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe mbeti i plagosur rëndë në një atentat me armë zjarri që i bënë teksa udhëtonte me makinë zyrtare. Sulmi me breshëri la të plagosur edhe të atin e zyrtarit vendor, ndërsa bashkëshortja shpëtoi pa lëndime. Dyshimet janë se ngjarja ka lidhje me detyrën e Mentor Hasanaj, por nuk përjashtohen as pista të tjera.
Shefi i Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, Mentor Hasanaj dhe babai i tij 70 vjeçar mbeten të plagosur rëndë në një atentat me armë.
Ata po udhëtonin në aksin rrugor Shkodër-Koplik me këtë makinë zyrtare të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe, kur u sulmuan me armë zjarri nga një motor.
Nga breshëria e plumbave u goditën Mentor Hasanaj, 37 vjeç dhe babai i tij Xhelal Hasanaj, 70 vjeç, ndërsa bashkëshortja e policit Vjollca Hasanaj, që po ashtu ndodhej në makinë, shpëtoi mrekullisht.
Siç tregojnë pamjet në video, makina zyrtare është qëlluar me disa plumba në pjesë të ndryshme.
Babë e bir u dërguan fillimisht në spitalin e Shkodrës, ku morën ndihmën e parë dhe më pas 37 vjeçari u soll në Spitalin e Traumës në Tiranë për trajtim të specializuar mjekësor, pasi është në gjendje të rëndë.
Sulmi me armë ndaj zyrtarit të Bashkisë veriore vuri në lëvizje Policinë e Shtetit.
Shërbimet e Policisë dhe FNSH Shkodër kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore dhe po kontrollohet zona ku dyshohet se ka lëvizur autori.
Burimet thonë se atentati ndaj Shefit të Policisë Bashkiake të Malësisë së Madhe lidhet me detyrën e këtij të fundit, por nuk përjashtohen as pista të tjera.
Policia e Shkodrës ndërkohë në njoftimin e parë thonë se ende po punon për identifikimin e autorit dhe motiveve të atentatit ndaj policit bashkiak.
