Hakmarrje pas 14 vitesh, 41 vjeçari shtyp me makinë djalin e vrasësit të babait
Një 57-vjeçar u vra dje në Durrës në shenjë hakmarrje, ndërsa ngjarja u tentua të fshihet si një aksident automobilistik. Shaqir Istrefi u përplas nga bashkëfshatari i tij Myslim Istrefi, pasi babai i viktimës ka vrarë të atin e autorit 14 vite më parë.
Fillimisht u raportua si aksident rrugor nën efektin e alkoolit.
Por ngjarja ku humbi jetën 57-vjeçari, Shaqir Istrefi, të shtunën në Romanat të Durrësit ishte vrasje me dashje.
Ai u përplas qëllimisht nga bashkëfshatari Myslim Istrefi, 41 vjeç, për hakmarrje.
14 vite më parë, babai i viktimës, Qamil Estrefi pati vrarë babain e autorit, Zydi Istrefin.
Qamil Estrefi u arrestua dhe u dënua për ngjarjen, ndërsa ka ndërrua jetë disa vite më parë.
Sipas burimeve, shkak për konfliktin në atë kohë u bë një çështje pronësie.
Por pavarësisht veprimit të drejtësisë, duket se 41-vjeçari Istrefi nuk e kishte harruar ngjarjen.
Të shtunën, ai e ka gjetur Shaqir Istrefi duke ecur në këmbë në rrugë dhe e ka përplasur me makinën e tij teksa sipas njoftimit të Policisë ishte në gjendje të dehur.
Fillimisht e ka raportuar ngjarjen si aksidentale pranë Policisë, por hetimet kanë treguar se bëhej fjale për një vrasje me dashje për hakmarrje.
Myslim Istrefi u arrestua për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.