"Flakë për flakë", Meta: Rama, i vetmi person me rekorde kriminale që kam takuar, marrëveshja e 5 qershorit ordinere
Kësaj akuze të fortë të kryeministrit Edi Rama seancën e ditës së hënë para se të votonte në mënyrë të njëanshme ndryshimet në kodin zgjedhor, i është përgjigjur me të njëjtën monedhë Kreu i Shtetit Ilir Meta.
Presidenti deklaron se i vetmi person me kriminale që ka takuar është vetë Kryeministri.
Meta: Shpifjet e kryeministrit tonë të dashur nuk kam kohë t’i takoj. Unë të vetmin person që kam takuar me rekorde kriminale është Edi Rama. Lëri ato përrallat e atij çfarë di ai. Unë ruhem nga garda e Republikës. Unë jam te shtëpia, te pallati i Brigadave, të rezidenca në Durrës dhe shtëpia ku jetoj në Lalëz. Unë nuk mund të shkoj askund. Ai gënjen edhe pa hapur gojën jo më kur hap gojën. Ai ka bërë një krim të jashtëzakonshëm sepse ka frikë nga vota e shqiptarëve. Me lista të hapura i del nga kontrolli Partia Socialiste. Ai është mister 1 prilli.
Duket se beteja mes tyre është politike, pasi Meta thotë se në kuptimin personal raportet mes tij dhe zotit Rama janë pozitive.
Meta: Nëse do të kishit një kamera të fshehtë ju do të shihnit që raportet mes meje dhe Kryeministrit janë të shkëlqyera. Në kuptimin personal ai është shumë i dashur, shumë i repsektueshëm. Problemi është që kur jam larguar unë nga Kryeministër në vitin 2002 , Shqipëria ishte përfshirë në procesin e stabilizim asocimit dhe Serbia e Mali i Zi nuk ishin përfshirë, Sot ata janë shumë përpara nesh, ndërsa për ne as që bëhet fjalë, aq më tepër pas votimit të njëanshëm.
Marrëveshjen e 5 qershorit të arritur mes palëve politike e cilësoi ordinere.
Meta: Çfarë është marrëveshja e 5 qershorit? Është marrëveshje ordinere, po ta them unë, në thelb është ordinere. Ajo u përshëndet nga komisionorei për zgjerim që ishte dje këtu, u përshëndet nga Budestagu, nga Sekretari i Shtetit që ka 5 mijë halle nga të gjithë. Nuk ishte ndonjë gjë, ishte që ne do të bëjmë zgjedhje të barabarta.
Lidhur me kodin e ri zgjedhor ai tha se do ta kthejë në Kuvend.
Meta: Unë, tani jam i detyruar, pse do thoni ju? Sepse menjëherë pasi ata votuan këtë marrëzi, këtë çmenduri, pati një reagim nga Partia Popullore Europiane, që është partia kryesore e kontinentin tonë, e Bashkimit Europian dhe që udhëheq Bashkimin Europian.
Presidenti i vendit Ilir Meta tha se edhe sikur opozita aktuale të mos hyjë në zgjedhje, më 25 Prill Partia Socialiste do të ketë përballë një opozitë e cila do të dalë fituese në këtë proces.
Meta: Edhe sikur opozita PD- LSI të mos marr pjesë në zgjedhje siç bëri në zgjedhjet lokale, në Shqipëri do të ketë opozitë zgjedhore dhe kjo opozitë do të fitojë në zgjedhjet e 25 Prillit. As më interesojnë fare as PD, as LSI dhe as PS, partia ku unë vajta në vitin 1991 kur nuk shkonte asnjeri dhe kur Edi Rama thoshte: të varen komunistët dhe krijonte KSI, partinë kristian-islamike.
Deklaratat Presidenti i bëri gjatë një intervistë për emisionin "Opinion" me gazetarin Blendi Fevziu.