Vrasja e dy kushërinjve, babai i Danjel Pepaj shoqërohet në komisariat, ja për çfarë dyshon policia

Prej afro tre orësh në komisariatin e policisë së Shkodrës është shoqëruar babai i Danjel Pepaj, Rrok Pepaj.

Policia ka bërë ndalimin e tij menjëherë pas përfundimit të operacionit policor në terren, ku u arrit të gjendeshin trupat e pajetë të Klement Pepaj dhe Vilson Çutajt por edhe disa parcela me kanabis të cilat u asgjesuan përmes djegies nga policia.

Ai po merret në pyetje nga oficerë të policisë gjyqësore.

"Nga burimet paraprake të policisë mësohet se Rrok Pepaj është shoqëruar në cilësinë e dëshmitarit. Ka indicie dhe dyshime sipas grupit hetimor që ky shtetas të ketë patur dijeni për ekzistencën e parcelave të kanabisit. Por dyshohet se ka pasur dijeni edhe për vendodhjen e dy trupave, pasi sot ka qenë vetë ai që e ka dërguar policinë në zonën ku u gjetën trupat e pajetë të dy të rinjve, "informon gazetari i Ora News, Bepin Kolvataj.

Prej zhdukjes së tre të rinjve në Malësi të Madhe janë marrë në pyetje disa persona.

Ndërkohë mbetet ende në kërkim Danjel Pepaj, i cili dyshohet si ekzekutor i dy kushërinjve.

Mendohet se Pepaj mund të ketë kaluar në Mal të Zi në këmbë, pasi në sistemin TIMS nuk ka të dhëna që ai mund të ketë kaluar nga pika kufitare e Hanit të Hotit.