"Erdha në kohë në spital", Bino flet për gjendjen shëndetësore pas infektimit nga Covid, tregon kush duhet të bëjë vaksinën anti-grip

Disa javë pas  nisjes së aplikimit të vaksinës anti-grip, ISHP ka qartësuar se kush mund të bëj vaksinën dhe cila është rëndësia e saj.

Nga spitali Infektiv ku edhe po merr mjekimin e nevojshmëm anti-Covid, dr Silva Bino tha se ajo kaloi një gjëndje të rëndë të virusit por tani është në fazë rikuperimi.

“Unë jam akoma në spital, po kurohem, jam në gjendje më të mirë. Por sot jam për të folur për vaksinimin ndaj gripit. Covidi nuk është grip, por COVID është edhe me serioz merr forma të rënda! Unë erdha në kohën e duhur në spital. Mund të them që edhe gripi është i rrezikshëm dhe për të duhet të vish në kohën e duhur për kurim.  Gripi është sëmundje serioze, por që parandalohet nëpërmjet vaksinës. E rëndësishme është që vaksina nuk dëmton dhe nuk shkakton grip”, tha Bino ndërsa foli në një bashkëbisedim online me gazetarët.

Sa i përket rëndësisë së vaksinës anti-grip Bino kërkoi prej qytetarëve ta marrin këtë mjekim për të ulur rrezikun që mund të sjellë infektimi në të njëjtën kohë nga dy viruse, ai sezonal dhe Sars Cov 2.

Por kush mund ta bëjë vaksinën anti-grip?

Bino sqaroi se nëse një qytetar është me Covid nuk mund të vaksinohet për grip pasi kjo mund tu rrezikojë jetën.

Këta persona duhet të vaksinohen menjëherë pasi të kenë kaluar koronavirusin.

“Është i rëndësishëm për ato grupmoshat që mund të bëjnë infeksione më të rënda ta kryejnë vaksinimin ndaj gripit. COVID s’ka ende vaksinë, por gripi po!  Vaksinimi ndaj gripit kryhet në çdo kohë. Këtë vit synimi ynë është që procesi i vaksinimit të popullatës të përfundojë deri në fund të nëntorit. Kur je me COVID s’mund të vaksinohesh! Por vetëm pasi të kesh kaluar koronavirusin, mund të kryhet vaksinimi”, sqaroi Bino. 

Ekspertët nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se vaksinimi duhet bëhet nga të gjithë, e sidomos nga ata që kanë kontakte të vazhdueshme me qytetarë.

Sa u përket shqetësimeve për efektet anësore të kësaj vaksine, mjekët hedhin poshtë të gjitha pretendimet.