Komisioneri europian takon drejtuesit e vettingut, shefja e ONM-së: Të ndalen sulmet e padrejta!

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi, zhvilloi një takim me drejtues të procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë, ku nënvizoi rëndësinë e madhe, që ka ky proces për Shqipërinë.

"Takim shumë i mirë me anëtarët e institucioneve të vettingut. Unë përgëzoj profesionalizmin dhe punën e tyre të palodhur. Be mbështet fuqimisht procesin e verifikimit, i cili është thelbësor për ta sjellë Shqipërinë më pranë BE. Reforma në drejtësi duhet të vazhdojë" shkruan ai në twitter.

Në konferencën me kryeministrin Rama ai tha se anëtarët e organeve të vetting-ut janë bërë të famshëm edhe jashtë Tiranës.

Varhelyi: E shikojmë që ka lëvizje dhe në Gjykatën Kushtetuese. Na duhen gjyqtarët atje, na duhet që të jetë funksionale Gjykata Kushtuese, pra, na duhet që të shikojmë që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të jenë në punë e të bëjnë punën. E siç mund ta keni parë dhe më përpara, unë shkova që të vizitoja edhe anëtarët e ndryshëm të organeve të vetting-ut. E gjithë kjo punë, vetting-u, rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve është kyçe në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara dhe të organizohet konferenca e parë ndërqeveritare e të angazhohemi më tej në negociatat e anëtarësimit, duhet që këto organe të bëjnë punën e tyre. Po bëjnë një unë tejet të rëndësishme. Në fakt nuk mendoj se e dinë se sa të famshëm janë jashtë Tiranës, pasi ne i përdorim gjithmonë si standard për t’i krahasuar me të tjerët. 

Pas tij ka reaguar edhe shefja e ONM-së, Genoveva Ruiz Calavera. 

"Vizitë e rëndësishme në institucionet shqiptare të vetingut me Komisionerin Oliver Varhelyi. Është e rëndësishme që vettingu të vazhdojë me të njëjtin profesionalizëm dhe përkushtim për të siguruar që reforma në drejtësi të japë më të mirën për qytetarët shqiptarë. Sulmet e padrejta duhet të ndalen".

Varhelyi deklaroi se reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe BE-së.

Ai shtoi se vijimësia e reformave është shumë e rëndësishme për ecjen përpara të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.