Nesër sprova e fundit e Varhelyi, Kikia: Dekreti i Metës shtegu për gjetjen e një konsensusi
Vizita e nesërme e Komisionerit për Zgjerimin e Bashkimit Europian Oliver Varhelyi shihet si sprova e fundit për gjetjen e një konsensusi mbi Kodin Zgjedhor.
Ndërkohë që e vetmja rrugë është që presidenti ta kthejë me dekret këtë ligj.
Këtë e mendon dhe analisti Mentor Kikia i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora me gazetaren Beti Njuma.
“Presidenti do ta kthejë kjo nuk ka pikën e dyshimit për të përmbushur detyrimin e tij politik e kushtetues dhe qëndrimin e tij tashmë të hapur opozitar dhe parlamenti pritet ta rrëzojë siç ka ndodhur dhe me dekrete të tjera, por kjo mund të jetë edhe shtegu për të rikërkuar edhe një herë dhe për herë të fundit konsensusin mes palëve që Kodi Zgjedhor të jetë i gjithëpranueshëm”
Edhe komisionieri i Bashkimit Europian në konferencën për median përmendi që nesër në vizitën e tij do të kërkojë sërish që të punohet për konsensusin në këtë drejtim.
Shanset që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet në dhjetor janë të pamundura
“Gjykata Kushtetuese është thuajse e pamundur të ngrihet brenda dhjetorit të këtij viti, ndërkohë që një pikë nevralgjike që ka pështjelluar politikën shqiptare është çështja e koalicioneve parazgjedhore të cilat janë hequr. Ajo që është planifikuar nga maxhoranca është dhe ndryshimi i ligjit për presidentin në mënyrë që pas zgjedhjeve presidenti të mos mandatojë për krijimin e qeverisë së re drejtuesin e koalicionit që krijohet pas zgjedhjeve por të mandatojë kryetarin e partisë që ka më shumë mandate edhe pse mund të mos shpallet fitues i zgjedhjeve.
Kjo do të thotë. Nëse PD dhe LSI pas zgjedhjeve fitojnë më shumë sërish mandatimin për krijimin e qeverisë së re mund ta marrë PS që mund të mos ketë shumicën kushtetuese por ka më shumë sesa secila parti veç e veç. Kjo mund të lërë shteg që atij që i jepet mandati për qeverinë e re të krijojë koalicione me partitë e vogla dhe mund ta bëjë këtë shumicë. Kjo kundërshtohet nga komisioneri për zgjerimin."
Varhelyi pranon që koalicionet parazgjedhore u hoqën por mbështet faktin që pas zgjedhjve secila parti politike ka të drejtë të organizohet në koalicione.
"Komisioneri theksoi se ne do të mbajmë qëndrime të prera nëse do të ndërhyhet në çështje të koalicioneve paszgjedhore."
Dy çështjet që pritet të vihen nesër në tryezën e bisedave të të dërguarit të Brukselit me kryemininstrin Rama, presidentin Meta dhe kryetarin e PD-së janë rishikimi i dialogut për kodin e ri zgjedhor dhe mosprekja e koalicioneve paszgjedhore.