Presidenti Trump bën surprizën, përshëndet përkrahësit në rrugë
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka lënë për disa momente dhomën e spitalit ku është izoluar prej koronavirusit të ri, për të përshëndetur simpatizantët.
Autokolona e presidentit shëtiti befasisht të dielën pasdite mes qytetarëve që prej ditësh valëvitin flamujt dhe brohoritin mesazhe shprese për udhëheqësin amerikan.
Surprizën, kryeshtetari e lajmëroi me videomesazh, ku bëri të ditur se tani që është shtruar vetë në spital, e kupton më mirë situatën me pandeminë e koronavirusit.
"Kam mësuar shumë për kovidin. Kjo është shkolla e vërtetë, shkolla që nuk mësohet e as nuk kuptohet me libra. Është diçka interesante që do e ndaj më vonë me ju."
Në rrethanat kur 74-vjeçari shfaq ende simptoma të koronavirusit, një nga mjekët e spitalit ushtarak ku ai po merr trajtimin e specializuar, e quajti marrëzi daljen e papritur të presidentit.
"Çdo person në makinë gjatë atij kortezhi të panevojshëm presidencial tani duhet të karantinohet për 14 ditë. Mund të sëmuren, të vdesin, për një teatër politik të komanduar nga Trampi."
Që prej diagnostikimit me kovidin-19 të enjten mbrëma, doktorët thonë se gjendja shëndetësore e presidentit Trump është stabilizuar pasi disa episodeve më të vështira ditën e premte.
Kreu i shtetit po trajtohet me disa medikamente njëherësh, me ilaçe eksperimentale për prodhimin e antitrupave dhe për frymëmarrjen, dhe me antiinflamatorë si deksametazoni.
Nëse nuk vërehen komplikacione, doktorët e tij shpresojnë që ai të lërë ambientet e spitalit nga dita e hënë, për ta vijuar trajtimin në Shtëpinë e Bardhë.