Historia në Gjirokastër,13-vjeçarja denoncon: Më abuzoi xhaxhai!

Një histori abuzimi seksual është denoncuar në Gjirokastër, ku një vajzë 13 vjeçare nga komuniteti rom akuzon xhaxhanë për përdhunim. Ky është rasti i fundit i një serie ngjarjes tronditëse të abuzimit dhe ngacmimit seksuale me të mitur në vend.

Një 13-vjeçare nga komuniteti rom në Gjirokastër akuzon xhaxhanë e saj për përdhunim.

E mitura u ka rrëfyer fillimisht prindërve, të cilët kanë bërë denoncimin në policinë lokale, por kanë rezerva pasi autori i dyshuar është i lirë.

" I jepte nga 2000-3000 mijë lekë. E çoi në spital."

"Policia nuk na merr për bazë fare. E kam vëlla atë po nuk flas me të."

E kontaktuar për rastin, Policia e Gjirokastrës konfirmon se ka marrë denoncimin për përdhunimin e dyshuar më datë 22 shtator.

Blutë thonë se rasti është trajtuar sipas ligjit dhe janë kryer veprimet hetimore.

Autori i dyshuar është marrë në pyetje, por nuk është arrestuar, ndërsa dosja më pas i ka kaluar prokurorisë.

Në muajt e fundit në vend janë regjistruar disa raste të abuzimit dhe ngacmimit seksual me të mitura.

Tronditëse ishte një historia e zbuluar në Vërdovë të Pogradecit në mes të muajit shtator, ku një 13 vjeçare ishte abuzuar dhe dhunuar fizikisht nga një 46 vjeçar që e kishte marrë në shtëpi për tu përkujdesur.

Më herët në muajin maj, u zbulua abuzimi i një 15-vjeçareje në Tiranë nga roja i shkollës dhe disa të rinj.