"Ministra janë, gafa bëjnë"/ Dasho Klosit dhe Denajt: Fokusohini te fushat tuaja, lerjani Covid-in specialistëve

Deklarata e ministrit të Mjedisit Blendi Klosi se Koronavirusi përhapet edhe përmes valëve të muzikës po bën xhiron e rrjetit kur nuk kanë munguar as memet tallëse, por ndërkohë nuk mungojnë reagimet as nga specialistët e fushës.

Një prej tyre është edhe specialisti I Shëndetit Publik Erion Dasho.

Përmes një postimi në Facebook, Dasho sjell në kujtesë jo vetëm rastin "Klosi" por edhe deklaratën e ministres së financave Anila Denaj, e cila do të shprehej se, testimi nuk është i rëndësishëm në kontrollin e përhapjes së Covid-19.

"Deklaratat e dy ministrave janë jo-profesionale dhe ngatërrojnë më tej publikun i cili është lënë në mëshirë të sëmundjes nga qeveria ku ata bëjnë pjesë. Dy ministrat do të bënin mirë sikur të fokusoheshin në fushat e tyre që janë dy sektorët më të dëmtuar nga pandemia dhe të lënë specialistët e shëndetësisë dhe shëndetit publik të sqarojnë publikun", shkruan Dasho.

Reagimi i plotë i Erion Dashos:

MINISTRA JANË, GAFA BËJNË

E hapi lojën Z. Klosi kur deklaroi se COVID përhapet nëpërmjet “valëve të muzikës” duke hyrë në një fushë ku nuk e lidh as profesioni dhe as objekti i ministrisë që drejton. Sikur të mos mjaftonte gafa e parë, shprehjes së habisë nga ana e moderatorit ju përgjigj me fjalë dhe gjeste siguruese duke e garantuar se ato që thoshte ishin e vërteta e kulluar e cila nuk duhet vënë në dyshim.

Më vonë ministrja e financave ju rikthye një teme tashmë të konsumuar nga kolegia e vet e shëndetësisë, rolit që ka testimi në kontrollin e COVID. Edhe ministrja e financave në një fushë ku nuk ka as kompetencë dhe as tagër të përfshihet si përfaqësuese e qeverisë deklaroi sërish se testimi nuk është i rëndësishëm për kontrollin e përhapjes së COVID. Në ndryshim nga kolegu i turizmit, ministrja e financave deklaroi burimin e këshillës që ishte komiteti i ekspertëve.

Deklaratat e dy ministrave janë jo-profesionale dhe ngatërrojnë më tej publikun i cili është lënë në mëshirë të sëmundjes nga qeveria ku ata bëjnë pjesë.

Dy ministrat do të bënin mirë sikur të fokusoheshin në fushat e tyre që janë dy sektorët më të dëmtuar nga pandemia dhe të lënë specialistët e shëndetësisë dhe shëndetit publik të sqarojnë publikun.

Testimi është fillesa e trinomit testo-gjurmo-trajto!

Këtë trinom janë duke e zbatuar të gjithë vendet e përgjegjshme dhe nuk ka ngelur ta vendosë në diskutim komiteti i të paaftëve shqiptarë që paska nisur të rijapë këshilla pasi kaloi verën në ilegalitet!

Për sa i takon ministrit që ngatërron tekstin me muzikën, kjo mund të kalohet edhe me një të qeshur...