Liga Profesioniste e Futbollit: Nuk tërhiqemi nga bojkoti, më 10 tetor protestë masive

Liga Profesioniste e Futbollit nuk tërhiqet nga 4 kërkesat e saj dhe do të vazhdojë të bojkotojë kampionatin.

Përmes një deklarate për shtyp, Liga informon se do të protestojnë masivisht më datën 10 tetor.

Ata shprehen se ende nuk kanë marrë përgjigje nga qeveria, dhe mbeten në pritje të një përgjigjeje.

Deklaratë për shtyp e Ligës Profesioniste

Tiranë 29.09.2020

Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit u mblodhën sot për të diskutuar në lidhje me çështjet organizative dhe me vijimin e bojkotit të kampionatit të Kategorisë Superiore.

Gjatë diskutimeve Asambleja e Ligës u dakordësua për hapat e mëtejshëm në luftën për plotësimin e katër kerkesave të Ligës drejtuar qeverisë.

LPF do të intensifikojë kontaktet me negociatorin e qeverisë z. Fidel Ylli dhe për këtë ngarkohet Kryetari i Ligës dhe Sekretari i përgjithshëm për te ndjekur hap pas hapi ecurinë dhe reagimin e qeverisë pas dërgimit të relacionit shpjegues për kërkesat e Ligës.

LPF është e vendosur për vazhdimin e bojkotit dhe përshkallëzimin e protestave, duke projektuar protestën masive të futbollistëve më datë 10 tetor 2020. Për këtë do të ngrihet një grup pune për organizimin e saj dhe sensibilizimin e opinionit publik.

Deri më tani nuk kemi asnjë reagim nga qeveria për kërkesat e Ligës. Anëtarët e Ligës Profesioniste të Futbollit mbeten shpresëplotë për një përgjigje sa më shpejtë nga ana e qeverisë dhe për veprime konkrete në shqyrtimin dhe plotësimin e këtyre kërkesave që mund të sjellin zgjidhjen e ngërçit të krijuar.