"Ora Sport", Kadia: Nuk ka futboll deri në plotësimin e të gjitha kërkesave

Liga Profesioniste e Futbollit dhe qeveria prej javësh kanë nisur përplasjet mes tyre për shkak të kërkesave ekonomike që kanë klubet.

Dritan Kadia, sekretar i Përgjithshëm i Ligës Profesioniste të Futbollit, i ftuar në emisionin “Ora Sport” në RTV Ora u shpreh i prerë se nuk do të luhet futboll deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

“Ndodhi ajo që parashikuam. Pra Liga krijoi axhendën e vet, u bë publike. Ne prisnim reagimin e qeverisë. Erdhi reagimi i zonjës Denaj dhe zotit Ylli. Ishte një fije shprese dhe menduam se do të ulemi dhe kërkersat ishin marrë parasysh. Nga deklaratat nuk doli asnjë produkt. Ne duam të luajmë futboll por nuk luhet futboll në këto kushte. Presidentët janë të vendosur se nuk do të luhet futboll deri në plotësimin e kërkesave”, tha Kadia.

Klubet i kanë paraqitur qeverisë disa kërkesa dhe më konkretisht:

uljen e TVSH-së në masën 6%; faljen e gjobave dhe kamatëvonesat e detyrimeve tatimore, fiskale e të sigurimeve të prapambetura; efektet e pezullimit të tatimit mbi të ardhurat personale të lojtarëve, të shtrihen nga 2 në 10 vite; të miratohet ligji i vërtetë i sponsorizimeve, në vend të mashtrimit të qeverisë, që sot propagandohet si ligj sponsorizimi për Sportin. /A.R,OraNews