Sot në 17:00 Hoti firmos marrëveshjen me Vuçiç në prani dhe të Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump do të marrë pjesë sot (4 shtator), në nënshkrimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.

Sipas agjendës publike të presidentit amerikan në ora 11:00 të paradites me kohën lokale të Washington DC, ose ora 17:00 me kohën lokale të Prishtinës, Trump do të përshëndesë formalisht kryeministrin Avdullah Hoti dhe Presidentin Aleksander Vuçiç në zyrën ovale e cila është edhe dhoma kryesore e punës së presidentit amerikan.

Pas përshëndetjes formale, sipas agjendës, Presidenti Donald Trump do të mbikqyrë ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiç në ‘Dhomën Roosevelt’.

Presidenti Trump do të marrë pjesë në takim trepalësh me Hotin dhe Vuçiçin në Zyrën Ovale aty ku presidenti amerikan ka hapsirën e tij të punës.

Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes do të bëhet në ‘Dhomën Roosevelt’ e cila ndodhet në pjesën perëndimore të Shtëpisë së Bardhë.

Agjenda e presidentit Donald Trump

Për çfarë do të nëshkruhet marrëveshja?

Njoftimi i së enjtes në mbrëmje i Shtëpisë së Bardhë nuk e përcakton se çfarë do të nënshkruhet dhe nëse bëhet fjalë për një marrëveshje dhe nuk është e qartë se çfarë do të përmbajë ajo.

Gjatë javës ishte folur për mundësinë e takimit të Presidentit Trump me Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës, por nuk kishte pasur një konfirmim deri mbrëmjen e së enjtes.

3 shtator, përfundojnë bisedimet e para Kosovë-Serbi

Ndërkohë, dje (3 shtator) në Uashington përfundoi dita e parë e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë e ndërmjetësuar nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien dhe dërguari i presidentit Trump për bisedimet Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.

-Hoti: Nuk do ketë marrëveshje që dëmton Kosovën

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti duke folur pas takimit për mediat kosovare ka deklaruar se diskutimet do të finalizohen ditën e sotme ku do të bëhet publike dhe marrëveshja.

Ai siguri se është bërëprogres i madh dhe se nga Shtëpia e Bardhë nuk do të dalë asnjë marrëveshje qëdëmton Kosovën.

“Jemi takuar me O’brien dhe Grenell. Kishim një takim me presidentin serb gjithashtu. Nesër presim të finalizojmë këtë diskutim që patëm sot. Një gjë mund t’iu them që marrëveshje të dëmshme dhe të papranueshme asnjëherë nuk kanë ardhë dhe nuk do të vijnë nga Shtëpia e Bardhë. E kemi bërë një progres në çështjet ekonomike dhe kemi bërë një hap të madh. As nuk është shtruar e as nuk do të shtrohet në tavolinë çështja e shkëmbimit të territoreve. Ju nesër do të shihni marrëveshjen sepse kështu është diskutuar" - deklaroi Hoti.

-Daçiç: Normalizojmë marrëdhëniet me Kosovën, por nuk e njohim pavarësinë

Ndërkohë më herët Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, tha se në bazë të informacioneve që posedon nga bisedimet Kosovë-Serbi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç e ka hedhur poshtë "pikën dhjetë të marrëveshjes, e cila parashikon njohjen e pavarësisë së Kosovës".

"Ai (Vuçiç) e tha qartë se është e papranueshme dhe që Serbia do të veprojë në përputhje me Kushtetutën e saj", tha Daçiq, duke shtuar se, "asnjëherë më parë delegacionit serb nuk i është paraqitur një dokument për njohjen e pavarësisë së Kosovës".

Por ai shtoi se Serbia dëshironqë të marrë pjesë në normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Kosovën.

"Por, nëse ekziston dëshira për të shkuar një hap më tej në zgjidhjen politike përmes një agjende të fshehtë, duke vendosur formulimin 'njohje e ndërsjellë', është e qartë për të gjithë se Serbia nuk do ta pranojë atë", u shpreh Daçiç.

-Nuk ka bisedime për njohje të ndërsjellë

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, mohoi të jetë shtruar në tryezën e bisedimeve çështja e njohjes së ndërsjellë, pasi një gjë të tillë e tha fillimisht për mediat, Ministri serb i Financave, Sinisa Mali.