Kur pushteti do vetëm Andrea Stefanë
Shekuj më parë kolonizatorët e Amerikës thonin se ‘Indiani i mirë është indiani i vdekur’. Për kolonizatorin e Tiranës, Erjon Veliaj, indiani është gazetar. E tha sot me zë dhe figurë, kur fytyrënxirë nga ‘COVID-i’, lajmëroi se shkollës së re për fëmijët e zonës afër Astirit, do t’i vihet emri i ish-kolegut tonë, Andrea Stefani.
Motivi? “…Për t’u kujtuar të gjithëve se ka ekzistuar një kohë kur gazetaria nuk vilte gjoba dhe kur gazetari përfaqësonte të vërtetën, duke kritikuar çdo lloj pushteti’-arsyetonte Veliaj.
Thënë nga kryegjobëvënësi i Tiranës, kjo puna e gjobave të medias ngjan shumë e mjerë, sepse Tirana është kryeqyteti i gjobave arbitrare dhe abuzive ndaj çdokujt, tarifave dhe faturave të rritura shumëfish, pastrimit të parasë së fëlliqur me kulla betoni që kanë helmuar ajrin dhe jetën në çdo cep, policëve-piranja që shtyejnë çdo të vobektë dhe lumit të parave të taksapaguesve që mbulohen nga një cipë bojë e dalëboje e nuk dihet se ku përfundojnë.
Po, Andrea nuk vuri gjoba kurrrë, megjithëse pati poste drejtuese në shumë gazeta për gati dy dekada. Por gazetaria që ai drejtoi atëherë hodhi themelet e medias së kapur që kemi sot, asaj që ka kapur për fyti me licensa, leje kriminale dhe favore të tjera kryebashkiaku i Tiranës, për ta nxjerrë ‘akullore’ në çdo lajm, edhe kur është më blozë se e nxira e dy javëve të karantinës. Gjobat i vunë dhe i volën botuesit për të cilët punoi Andrea, siç ndodhi në shumicën e mediave dhe siç shtë kthyer në modë tani edhe nga portali më i fundit.
Por dhe ai nuk doli keq dhe në takimet tona të shkurtra përsëriste vazhdimisht se kishte arritur të depozitonte në bankë 100 mijë dollarë, prej të ardhurave si drejtues, përfaqësues i IREX, apo bashkëpunimeve me Institutin Shqiptar të Medias, ku janë kanalizuar prej 30 vitesh fondet e huaja për median shqiptare.
Andrea ishte koleg dhe mik i mirë, por gazetaria e tij, sidomos vitet e fundit ishte militante, më saktë kundër Saliut me të gjitha bateritë dhe pro Rilindjes edhe kur ajo ishte blozë, siç është prej 7 vitesh. Pjesëmarrja e tij në ‘Opinionin’ e Fevziut me shkulme kundër Saliut dhe lëvdata për Ramën e ilustron më së miri njëanshmërinë e tij kur gazetari nuk përfaqëson të vërtetën dhe nuk kritikon çdo lloj pushteti. Andrea e dinte që e tepronte në studio me këtë sjellje, dhe i zënë ngushtë justifikohej se ishte nën presionin e moderatorit për të mbajtur të lartë audiencën dhe duhej t’i sulej patjetër Preçit përballë, duke mallkuar Saliun dhe mbjellë në ekran debatin e ‘pështymës’, siç do ta etiketonte një koleg tjetër.
Ndaj, po i them Andreas, sikur më dëgjon: Mos e prano këtë lartësim emri, sepse është ulje për ty. Ti e di që nuk e meriton, sipas motivacionit të thënë. Aq më shumë prej kujt e ke…edhe pse është i Rilindjes që ti e mbrojte me gjithë shpirt, deri në fund.
Marre nga shekulli.com