Meta në SHBA lobon për rritjen e produketeve ‘Made in Albania" në Amerikë
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka deklaruar nga Uashingtoni se qeveria po punon për rritjen e gamës së produkteve bujqësore “Made in Albania”, duke e vënë sërish theksin tek bujqësia, si një sektor me prioritet për zhvillimin ekonomik të vendit.Këtë deklaratë, Meta e bëri gjatë një takimi që zhvilloi në Departamentin e Bujqësisë dhe Ushqimit në SHBA, ku u prit nga Administratori i Shërbimit të Jashtëm Bujqësor Philip C Karsting. Kryetari i Kuvendit nënvizoi se përmirësimi i procesit të sterilizimit, përpunimit dhe përgatitjes së bimëve medicinale do të rrisë kapacitetet eksportuese të Shqipërisë për në tregun amerikan.Gjatë takimeve në Kongresin Amerikan, Meta u takua edhe me Kryetarin e Nënkomisionit për Bujqësinë, Kongresmenin Robert Aderholt. Duke kërkuar mbështetje për projektet e bujqësisë, Meta i kërkoi Kongresmenit heqjen e taksimit të dyfishtë dhe njohjen e kontributeve shoqërore të shtetasve që punojnë në të dy vendet.Ndërsa Kongresmeni Aderholt, u angazhua për rritjen e shkëmbimeve dypalëshe në fushën e bujqësisë."Patëm një takim mjaft të frytshëm ku folëm për çështjet të ndryshme të bujqësisë dhe se si mund të bashkëpunojnë Shqipëria dhe SHBA-të në këtë drejtim. Diskutuam për shumë çështje që kanë të bëjnë me zhvillimin e bujqësisë dhe për të vendosur piketat e bashkëpunimit në të ardhmen veçanërisht për ato produkte që mund të ofrojë Shqipëria në fushën e agrikulturës".Takimet e kryeparlamentarit janë në kuadër të vizitës që Meta po zhvillon prej disa ditësh në SHBA./Oranews.tv/