Kur politika dhe zyrat e shtetit kthehen në biznes

Një biznesmen që takova këtë verë gjatë pushimeve në bregdetin e Himarës thoshte në biseda mes miqsh se mënyra më e mirë për të fituar në çdo lloj biznesi është të marrurit me politikë, ose lidhja me njërin prej krahëve kryesore të saj.Miku im, pronar i një restoranti të njohur në periferi të kryeqytetit, sigurisht që tregoi pjesërisht një të vërtetë, sesi dikush mund të bëjë përpara në këtë vend, ndërsa biseda me të m`u kujtua këto ditë kur po flitet shumë për imunitetin e zyrtarëve dhe politikanëve të lartë dhe kur mediat publikuan pasuritë e politikanëve, deputetëve, ministrave dhe përfaqësuesve të drejtësisë shqiptare. Kur shohim shifrat e larta të pasurisë së zyrtarëve, politikanëve dhe gjyqtarëve tanë, gjithkush dyshon për mënyrën sesi është vënë kjo pasuri prej tyre dhe shumë prej nesh dyshojmë nëse shifrat e deklaruara janë të vërteta, apo edhe nëse inspektoriati i deklarimit të pasurive ka arritur të zbulojë pasuritë që mund të mos jenë deklaruar prej tyre.Dyshojmë, pasi me rroga dhe punë të ndershme, asnjë prej tyre nuk mund të gëzojë pasurinë që deklaron; aq më tepër atë të fshehurën në emra e persona të ndryshëm brenda e jashtë vendit, që është ku e ku më e madhe sesa ajo e deklaruara. Rroga e gjyqtarëve, zyrtarëve të niveleve të ndryshme të administratës, deputetëve apo ministrave është publike dhe aspak më e madhe sesa e një numri të madh përfaqësuesish të medias, drejtuesve të kompanive të ndryshme private apo shtetërore, OJF etj., të ardhurat familjare vjetore të të cilëve janë pak a shumë të njëjta me ato të politikanëve. Por shumë pak prej tyre kanë mundur të vënë pasuri të ngjashme me politikanët apo gjyqtarët, vetëm duke kursyer. Shumë pak prej tyre kanë disa makina luksoze, vila e super-shtëpi luksoze banimi, në kryeqytet, Durrës, Vlore, Sarandë, apo edhe jashtë shtetit. Shumë më pak akoma kanë mundësi që t`i shkollojnë fëmijët në shkolla apo universitete jashtë vendit; të trajtohen në klinika të huaja për problemet me shëndetin; apo të bëjnë pushimet në vendet më të shtrenjta jashtë vendit. Me rrogat, gjithsesi të majme që kemi në krahasim me pjesën dërmuese të popullsisë, këto nuk mund të arrihen kurrë, as edhe prej kursimtarit më të thekur. As me kredi, të cilat janë kthyer në modë për të justifikuar pisllëqet, pasi kush ka provuar të marrë kredi, e di fare mirë se pa llogaritur interesat e larta, kjo është një barrë shumë e rëndë që zor se mund të shlyhet vetëm me rrogë sado të lartë mujore.Nuk mund të kursehet kurrë kaq shumë, me përjashtim të rasteve kur dikush gëzon të mirat që rrjedhin nga trashëgimi i pronave apo merret me një biznes të ligjshëm dhe publik, por kjo është sigurisht një kategori e vogël. Natyrshëm lind pyetja, e cila kthehet në dyshim normal: Me se i kanë siguruar këto pasuri këta njerëz, kur ne nuk i sigurojmë dot?! Sigurisht që duke abuzuar me pushtetin; duke marrë favore në cash apo shpërblime të disa llojeve për nderet e bëra në zyrat e shtetit në kurriz të taksapaguesve; duke përdorur kostumin e pushtetit në vite për të urdhëruar ngritjen e traut të doganës; duke mos paguar taksat e duhura për bizneset e tij në emra të ndryshëm; duke nxjerrë “të sëmurë mendorë” kriminelë që terrorizojnë njerëzit në rrugë etj. etj. Aq e vërtetë është kjo, pasi këta politikanë, zyrtarë, apo përfaqësues të sistemit të drejtësisë, bëjnë të njëjtën jetë luksoze jo vetëm kur janë në pushtet, por edhe kur dalin në opozitë. E bëjnë këtë lloj jete të shfrenuar në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë, pavarësisht se në këtë rast rrogat e tyre duhet të reduktohen. Madje mund të mos marrin fare rrogë, pasi zakonisht qeveritë pasardhëse nuk mbajnë në administratë politikanët kundërshtarë. Sipas kësaj logjike, do të rezultonte se të ardhurat dhe të mirat e tyre materiale duhej të ishin më të pakta se më parë, por realisht ato vazhdojnë të jenë të njëjta, për të mos thënë më të mëdha.Kjo, sepse politikani ka menduar për “ditën e keqe”. Ka menduar që kur të mos jetë më në zyrë apo karrigen e Parlamentit të jetë sërish në elitën e vendit, por këtë radhë në elitën e biznesit. Me të lënë politikën (realisht një pjesë e mirë e deputetëve nuk bëjnë më shume se një mandat në Kuvend), ata nuk janë më në lupën e inspektorëve të pasurisë dhe fillojnë punën për mbarëvajtjen e bizneseve të tyre. Miku im biznesmen nuk është marrë kurrë personalisht me politikë, por sigurisht që eksperienca e ka bërë që të jetë i vëmendshëm ndaj politikës dhe tekave të saj. Të cilat mund të të nxjerrin jashtë çdo biznesi nëse guxon të mos jesh i përfshirë në fijet e saj të ngatërruara. Për këtë arsye, është e vërtetë se ka shumë politikanë apo zyrtarë që nuk janë të interesuar për të hequr imunitetin e tyre, sepse kësisoj janë më të zbuluar ndaj çdo lloj zullumi që kanë kryer apo mund të kryejnë për të shtuar në mënyrë të pandershme pasurinë e tyre.