Presidentja Jahjaga përuron bustin e Nënë Terezës në Maltë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe presidentja e Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, inauguruan bustin e Nënës Terezë të dhuruar nga Presidentja Jahjaga në emër të qytetarëve të Kosovës."Busti i Nënë Terezës u inaugurua në Pallatin Presidencial San Anton në Atard të Maltës. Ky inaugurim u bë për të shënuar vitin e shenjtërimit të Nënë Terezës", thuhet në njoftimin që ka lëshuar Zyra e Presidencës.Nënë Tereza do të shpallet katolike e shenjtë në muajin shtator.Papa Françesku ka miratuar në muajin dhjetor një dekret për njohjen e një mrekullie, që i atribuohet ndërmjetësimit të saj me Perëndinë.Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që më pas është bërë e njohur në gjithë botën si Nënë Tereza, ka lindur në Shkup, më 26 gusht, 1910, në një familje me prejardhje nga Prizreni.Ajo ka fituar Çmimin Nobel për Paqe më 1979. Më 5 shtator, 1997, Nënë Tereza ka ndërruar jetë në Kalkuta të Indisë.Presidentja e Maltës Marie Louise Coleiro Preca,sot me rastin e inaugurimit, ka falënderuar Presidenten e Kosovës Atifete Jahjagën, që e ka çuar statujën e Nënës Terezë në Maltë.“Dua t’i falënderohem përzemërsisht Presidentes së Kosovës që na dhuroi statujën e së bekuarës Nënë Terezës, e cila do të shenjtërohet në shtator të këtij viti e që admirohet shumë nga populli i Maltës”, ka shkruar Presidentja e Maltës në Instagram. /Rtk/