Abrashi: Nuk ka ridizenjim të qeverisë së Kosovës

Ministri i Mirëqenies sociale dhe zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Arban Abrashi, ka deklaruar se nuk pritet që së shpejti të ketë ri-dizajnim të kabinetit qeveritar Mustafa.Abrashi ka deklaruar se në fazën e parë pritet që PDK të sjellë emrat për postet e lëna bosh e më pastaj të fillojë vlerësimi i ministrave aktual veç e veç.“Ne së pari presim që PDK të plotësojë me emra dy postet qeveritare, atë të ministrit të jashtëm dhe të zv/kryeministrit, pastaj pritet të fillojë etapa e dytë, që është vlerësimi i ministrave dhe dikastereve veç e veç në koordinim pra nga partnerët e koalicionit. Grupet për këtë takohen në nivel nënkryetarësh të partive”, deklaroi Abrashi.I pyetur se kur pritet të ndodhin ndryshimet dhe plotësimet në kabinetin qeverisës, Abrashi ka thënë se diçka e tillë nuk do të ndodhë shumë shpejt, siç është shkruar e thënë në media.“Nga java e ardhshme presim që të plotësohen dy vendet e lira në qeveri, e më pastaj nis faza e dytë ajo në të cilën mund të ketë ndryshime dhe lëvizje nëpër ministri. Për fazën e dytë njëherë duhet dhe pritet të bëhet vlerësimi”, tha Abrashi.Zëdhënësi i Qeverisë që vie nga radhët e LDK-së, poashtu ka folur edhe për anulimin e protestës nga opozita dhe për zërat e mundësisë së koalicionit të ardhshëm LDK–Vetëvendosje.“Anulimi i protestës për sot, është reflektim pozitiv dhe ne shpresojmë shumë që partitë parlamentare opozitare do ti kthehen trajtimit të problemeve në Kuvend, ndërsa sa i përket ideve dhe përafrimeve LDK-Vetëvendosje, mund të them se LDK është në një koalicion me PDK, koalicion që po funksionon mirë. Këtë kurs në do mundohemi ta ndjekim deri në fund të mandatit . Tema të ngritura nga anëtarë të kryesive respektive (Vetëvendosje dhe LDK) janë pjesë e demokracisë, mirëpo kjo çështje nuk është ngritur në kryesinë e LDK-së”, ka thënë Abrashi, për Radio Dukagjinin./Ora News/