Facebook: Rikthim në katedralen e Mesjetës
Ka disa javë që Facebook na ka dhënë mundësinë që funksionin “like” ta shprehim përmes 6 ikonave, të ashtuquajturave emoticons. E vështirë ta kuptosh çfarë qëndron pas vendimit për ta pasuruar opsionin “like” me gjashtë ikona emocionale, të cilat mund t’i shprehësh lirisht me fjalë te kategoria “komente”.Por pavarësisht vështirësisë për të kuptuar motivin e kësaj risie që redukton fjalën në ikonë, ti kupton se në fakt nuk je përballë një risie, por një vazhdimësie. Një vazhdimësie që i ka rrënjët te prirja e njeriut për të komunikuar përmes ikonave. Nuk po flas për kohët e stërlashta, kur njerëzit komunikonin me piktograme nëpër mure shpellash apo trungje pemësh.Mjafton të kujtosh atë kohë jo fort të largët, kur dikush, nën presionin e disa nevojave specifike fiziologjike në fund të barkut, vihej ngutshëm në kërkim të disa dyerve specifike me mbishkrimin “Toilette” apo “Banjo”, apo “Tualet”. Pastaj erdhi koha, kur gradualisht, fjalët në fjalë filluan të zhduken, duke u zëvendësuar me germat W dhe C, të cilat, nga ana e tyre, gradualisht erdhën e u zhdukën nga pjesa dërrmuese e dyerve në fjalë. Vendin e tyre, gradualisht e zunë ca figurina gjeometrike, të cilat, me një thjeshtësi radikale, prezantojnë një burrë dhe një grua. Vende-vende, figurinat e thjeshtëzuara, nganjëherë edhe në formë këpucësh me majë apo të rrumbullakosura, me taka e të sheshta, u shfaqën edhe në variante më rustikale, ku burri si një kavalier me bastun në dorë e gruaja me një fund të stolisur me dantella, të ftojnë lozonjarë drejt atij lehtësimit proverbial….Aty ku dikur shenjat autoritare “ndalohet hyrja”, gati-gati e detyronin lexuesin të pyeste “pse?”, sot gjendesh përballë një tabele të rrumbullakët, në qendër të së cilës shfaqet sërish ai burri i banjave publike, kësaj here i ndarë më dysh mes për mes nga një vijë diagonale që e përshkon nga majtas lart – djathtas poshtë. Megjithëse enigmatike, tabela mëton të ketë një qartësi, e cila në fakt i mungon dhe, megjithëse e shuminterpretueshme, tabela kërkon prej nesh një reagim të vetëm e të prerë. Pse e kanë ndarë mes për mes me një vijë diagonale atë burrin? Mos vallë pas derës, mbi të cilën tabela është ngjitur, ndodhet ndonjë dhomë torturash, ku, njerëzit që guxojnë të hyjnë i pret vdekja? Ose: mos vallë nuk është individi por ideja e tij ajo që asgjësohet nëpërmjet vijës së zezë? Para ikonës, të gjitha pyetjet eliminohen. Para ikonës kthehesh në memec, sepse ajo ikonë përfaqëson një pyetje, të cilën ti s’e ke bërë. Ikona kërkon ta ndjekësh, jo ta kuptosh! Fjala ishte e qartë, por hapte horizonte të gjera asociacionesh që sillnin interpretime të mundshme. Kurse ikona zhvishet nga polivalenca duke diktuar një perceptim të reduktuar të botës. Fjala, e cila shenjon realitetin e gjërave, duke mos qenë vetë realiteti, na hedh në krahët e shumëkuptueshmërisë së të dukshmes, kurse ikona kërkon t’i vërë realitetit vulën e njëkuptueshmërisë.Viktor Hugo e ka pas quajtur librin “katedrale të Epokës së Re”. Sot, ka shenja, se po e braktisim katedralen e Epokës së Re dhe po rikthehemi te katedralja e Mesjetës, me ato qindra e mijëra rrëfimet me piktura, të ilustruara bollshëm për besimtarët që nuk e njihnin latinishten e predikuesit të tyre.Po hyjmë në një katedrale elektronike, digjitale, në të cilën tamam si në ato të mesjetës, komunitetit të përdoruesve nuk i flitet me fjalë, por me ikona? Roli i priftit në katedralen e imazheve, të televizionit, të kompjuterit, të internetit, të facebook-ut (vini re kompozitën “face” dhe “book”) është i ndryshëm nga ai i predikuesit të katedrales së Epokës së Re. Ky predikues nuk është autoritet i fjalës, i mendimit logjik me të cilin argumenton, por është autoritet i ikonave që prodhon, administron dhe shpërndan. Autoritet i ikonave, që prodhohen për t’u parë dhe jo për t’u dëgjuar. Ato pak fjalë që i duhen, futen shtrëngueshëm në ato pak sekonda që i mbeten në dispozicion deri në ikonën e radhës. Komuniteti i shpërndarë anembanë, tashmë nuk ka nevojë për forcën argumentuese të fjalës apo për dekorimin retorik të saj, por për ato ikona, pushteti dogmatik i të cilave konsiston në rigjenerimin e ndjesive dhe emocioneve të njohura tashmë.Pier Paolo Pasolini e quan si prag të epokës së re atë natë, kur për herë të parë në historinë e njerëzimit, në fshat nuk u panë më xixëllonjat. Ndoshta një Epokë tjetër e Re, ajo e Jona, filloi kur programet kompjuterike të firmave të software hoqën fjalën “delete” dhe e zëvendësuan atë me ikonën e një koshi plehrash, kur emocionet u zëvendësuan me “emoticons”.Një epidemi po i shpërbën fjalët. Një epidemi që po i shkrin fjalët duke i zëvendësuar ato me ikona. Në fakt Pasolini ka gabuar, sepse xixëllonjat janë kthyer dhe farfurijnë sërish mbrëmjeve tona./Marre nga Mapo/