Me parimin një anëtar-një votë, FRPD nis zgjedhjet për kryetar në 53 degët e saj
Me parimin një anëtar një votë të rinjtë demokratë anembanë vendit do të zgjedhin drejtuesit e tyre vendorë. Gara nisi në Tiranë në degën numër 5 për t’u shtrirë në 53 degë të FRPD-së, në të gjithë Shqipërinë.Në nisje të kësaj gare, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka risjellë në vëmendje domosdoshmërine e zgjedhjeve të lira, votës së lirë dhe respektimit të çdo vote, si në garën brenda partisë ashtu edhe në garat ndërpartiake.Basha: Le ta dijë i madh e i vogël se të rinjtë dhe të rejat demokratë janë mbledhur në këtë sallë sikundër mblidhen e do të mblidhen në salla të tjera në Tiranë e anembanë Shqipërisë jo për emra por për vlera, jo për pazare por për besim, jo për të kërkuar por për të dhënë më të mirën që Shqipëria të ecë përpara.Dhe për këtë, ne kemi zgjedhur një model që qëndron në themel të identitetit tonë si demokratë, të identitetit tuaj si rinia demokrate. Ky është modeli i zgjedhjes. I zgjedhjes së vërtetë dhe jo të trukuar, i zgjedhjes së lirë dhe jo të diktuar, i zgjedhjes mes vlerave dhe jo mes antivlerave, i votës individuale të çdo anëtari.Ky model, padyshim çelësi i shoqërive të përparuara tash 200 vjet, është modeli i Partisë Demokratike, është modeli i Forumit Rinor Demokrat sepse për njeriun e lirë nuk ka liri më të madhe se liria për të zgjedhur”, tha Basha.Me votën dhe zgjedhjet është abuzuar dhe abuzohet çdo ditë në këtë vend, theksoi lideri i opozitës duke sjellë në vëmendje mashtrimin e bërë nga mazhoranca e sotme në zgjedhjet e 2013-ës.Basha: "Premtimet e dhëna janë dëshmuar jo vetëm mashtrime por situata ekonomike, sociale e sigurisë po shkon keq e më keq. E pasi s’kanë mbajtur asnjë premtim por vetëm në një vit ka vjedhur 1.1 miliardë euro, tashmë Edi Rama kërkon të eleminojë çdo zgjedhje të lirë në këtë vend, siç u faktua dhe me zgjedhjet e 2015-së, e siç po e fakton dhe në zgjedhjet brenda partisë së tij". Beteja për votën e lirë është një betejë jetike, tha zoti Basha për të sotmen dhe të ardhmen e vendit duke garantuar se demokratët janë të gatshëm të ndërmarrin çdo sfidë për t’u garantuar qytetarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme.Basha: Ne do ta ndryshojmë Shqipërinë, duke u dhënë shqiptarëve një herë e përgjithmonë të drejtën demokratike për të zgjedhur me votë, për të zgjedhur mes partive politike, për të zgjedhur mes programeve politike. Nuk do të pranojmë kurrë kultin e errët të pseudozgjedhjeve, të alternativave të zeza nga të dyja anët që takohen në darkë si Bidai e zihen në mëngjes për të ushqyer me spektaklin e kotësive të tyre një publik të kequshqyer nga qeverisja e tyre, të shpunësuar nga korrupsioni i tyre dhe të frikësuar deri në palcë nga krimi i lidhur me ta. Nuk do ta pranojmë. Do ta rrëzojmë së bashku me shqiptarët, së bashku me demokratët e me në krye me forumin Rinor të Partisë Demokratike.