Policia spanjolle arreston 7 të dyshuar për terrorizëm dhe lidhje me ISIS
Policia spanjolle ka arrestuar shtatë persona për lidhje të dyshuara me grupet islamiste militante gjatë një operacioni të zhvilluar në Alicante, Valencia dhe në Ceuta, Enklavë e Spanjës që ndodhet në veri të Afrikës.Sipas Ministrisë së Brendshme, të arrestuarit dyshohet se kanë krijuar një rrjet të gjerë rekrutimi për të furnizuar me luftëtarë Shtetin Islamik në Siri dhe Irak, të cilëve gjithashtu iu dërgojnë të holla, armë, pajisje kompjuterike dhe materiale për të bërë eksploziv në mënyrë artizanale.Pesë nga të dyshuarit janë spanjollë me origjinë nga Siria, Jordania dhe Maroku, kurse dy të tjerë me shtetësi jordaneze dhe marokene.Si pjesë e operacionit, policia bastisi shtëpi, biznese dhe depo të ndryshme.Operacioni i të dielës erdhi pas dy vitesh hetime nga autoritetet spanjolle, teksa të arrestuarit kanë kryer aktivitetin e tyre kriminal në vende të tjera europiane para se të vendoseshin në Spanjë.Vitin e kaluar Spanja ka arrestsuar 102 persona për lidhje të dyshuara me militantët islamikë, më shumë se dyfishin e numrit të 2014.Siguria në Spanjë është rritur ndjeshëm, ashtu si edhe në vende të tjera europiane, veçanërisht pas sulmeve të Parisit, ku 130 persona humbën jetën.