Profetët e fatkeqësive dhe rivaliteti SHBA-Rusi
Mes profecive të shumta të fatkeqësive të mundshme për 2016-n të përhapura nga mediat, si zgjedhja e Donald Trump-it, shpërbërja e Europës dhe një krizë sociale gjigante në Kinë, njëra është historikisht jologjike: që Rusia e Putinit të dojë “të mashtrojë” Shtetet e Bashkuara për zaptimin e Lindjes së Mesme… Do të jenë, përkundrazi, interesat e mëdha të përbashkëta, si në Siri, që do të vazhdojnë të udhëheqin marrëdhëniet midis Moskës dhe Uashingtonit.Në këtë fundviti, profetët e fatkeqësive për 2016-n grumbullohen nëpër gazeta dhe në rrjet. Mes këtyre, agjencia Bloomberg, që përfytyron për vitin e ardhshëm suksese të reja të ISIS-it, Brexit-in, sulmin e Izraelit ndaj Iranit, ngritjen e çmimeve të naftës, një krizë sociale dhe politike në Kinë, shpërbërjen e Europës dhe, si të mos mjaftonte, fitoren e Donald Trump-it në zgjedhjet e nëntorit.Në gjendjen aktuale të gjërave, asnjëra prej këtyre hipotezave nuk duket shumë e mundshme, ndonëse, në politikë dhe në ekonomi, disa gjëra përfundojnë out of controlme një shpejtësi të paimagjinueshme. Kështu që: gjithçka është e mundur, por asgjë nuk ka gjasë të ndodhë. Por një nga profecitë e Bloomberg-ut duket tejet e pabazë: ajo sipas së cilës “Putin sidelines America”. Sipas agjencisë së Nju Jorkut, Putini ka ndër mend ta mashtrojë (“outfox”) Obamën me qëllim që ta kthejë Rusinë në mënyrë të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Pathemelësia e këtij parashikimi sigurisht që nuk qëndron në idenë se rusët duan të vendosen sërish në mënyrë të përhershme në rajon, sesa do ta bëjnë këtë duke gënjyer Shtetet e Bashkuara.Në shumë komente mbi “kthimin” e rusëve në Siri, mbi tensionet me Turqinë, dhe për pasojë me NATO-n, dhe për pasojë mbi rreziqet e një konflikti midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, mbizotëruan argumente prej “lufte të ftohtë”, që ishin të gabuara në kohën e Luftës së Ftohtë, dhe që janë edhe më të gabuara sot. Këto argumente bazohen në tri premisa të rreme: 1) mbivlerësimi i Rusisë; 2) bindja se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë gjithnjë interesa të kundërta; 3) bindja se Rusia është “armiku i trashëgueshëm” i Shteteve të Bashkuara dhe anasjelltas.Në fakt, Rusia nuk ka qenë kurrë një fuqi në gjendje të rivalizojë si e barabartë me Shtetet e Bashkuara. Pa dalje në det të arritshme gjatë gjithë vitit, ajo nuk ka një nga kushtet themelore për t’u bërë një fuqi e madhe, si nga këndvështrimi ekonomik ashtu edhe politik dhe ushtarak. Të gjitha shqetësimet strategjike të kundërshtarëve të saj – britanikët në Tetëqindën dhe pastaj amerikanët në Nëntëqindën – kishin të bënin me mundësinë që një fuqi e madhe industriale (të lexohet Gjermani ose Japoni) të mund të bëhej aleate me (ose të zaptonte) territorin e stërmadh rus, krahun e saj të shumtë të punës me çmim të lirë dhe rezervat e saj të pafundme të lëndëve të para, dhe t’i jepte jetë një rivaleje të vërtetë dhe të frikshme për supremaci botërore. Jo rastësisht, gjeopolitika gjermane midis dy luftërave mbështetej pikërisht mbi aleancën (Karl Haushofer) ose mbi zaptimin (nazizmi mainstream) e Rusisë për të përmbysur raportet e forcës në nivel botëror.Objektivi kryesor i Shteteve të Bashkuara ka qenë gjithnjë shmangia e një lidhjeje midis Rusisë dhe Gjermanisë, apo midis Rusisë dhe Japonisë. Por kundërshtarët e vërtetë, kështu që potencialisht më të frikshëm, ishin Gjermania dhe Japonia, jo Rusia. Prandaj, gjatë “luftës së ftohtë” Shtetet e Bashkuara përmbyllën një aleancë faktike me Rusinë për të ndarë Europën dhe për ta privuar përfundimisht nga kolonitë e saj, dhe i luftuan rusët në Azi për ta mbajtur Moskën larg Tokios. Qëndrimi i Uashingtonit në lidhje me Rusinë nuk ka të bëjë kurrë drejtpërdrejt me vetë Rusinë, sesa marrëdhëniet që Shtetet e Bashkuara kanë me rivalët e tyre të vërtetë, ata potencialisht më të frikshëm.Sot, Uashingtoni i tregon dhëmbët Moskës mbi Ukrainën, por është i gatshëm për marrëveshjen me Moskën mbi Sirinë. Në Ukrainë, bëhet fjalë për të shmangur që marrëdhënia midis Rusisë dhe Europës të mund të bëhet shumë e drejtpërdrejtë; në Siri, bëhet fjalë për t’i treguar Rusisë se interesat e saj jetësore merren dashamirësisht në konsideratë, por, në të njëjtën kohë, bëhet fjalë për t’i përdorur interesat ruse si kundërpeshë ndaj një kthimi të mundshëm të ambicieve europiane në rajon, përveçse si kundërpeshë ndaj “aleatëve” lokalë të padisiplinuar dhe të pabindur (Turqi, Izrael, Arabi Saudite).Domethënë: mbi Ukrainën, interesi kryesor i Uashingtonit (të mbajë largësitë midis Rusisë dhe Europës) është në konflikt me atë të Moskës; kurse në Siri priret të përkojë me atë të Moskës.Sidoqoftë, nuk është në interesin e Shteteve të Bashkuara të armiqësohet me Rusinë. Pikërisht sepse marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë kurrë dypalëshe: ta përfytyrosh politikën ndërkombëtare si të bazuar mbi një marrëdhënie dyshe është si të përfytyrosh një lojë shahu ku lëvizin vetëm mbretëreshat. Sot, rivalët më të frikshëm të Uashingtonit nuk janë më vetëm në Berlin dhe në Tokio, por edhe, dhe sidomos në Pekin; dhe ndoshta, nesër, në Nju Dehli, në Xhakartë, në Brazilia dhe kështu me radhë. Nëse “karta ruse” qe e dobishme për Shtetet e Bashkuara gjatë luftës së ftohtë, edhe më shumë mund të jetë e tillë sot.Prandaj Shtetet e Bashkuara duhet t’i lënë gjithnjë hapësira veprimi Moskës, edhe duke rrezikuar të humbasin ndonjë gjë. Minirepublika e Asadit, e katandisur në një rrip të ngushtë bregdetar të lidhur me Damaskun, është me siguri një sakrificë e përballueshme, dhe ndoshta, në disa anë, deri edhe e dëshirueshme.Marrë nga: Gazeta Shqip