Paqartësitë e reformës në Drejtësi
Atë që nuk po e bëjnë dot mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe shoqatat joqeveritare shqiptare – denoncimin e guximshëm të modelit të shëmtuar të gjykatësit shqiptar, po e bën më mirë se kushdo Ambasadori Amerikan Lu, apo Ambasadorja Vlautin. Ironike, por a nuk jemi në epokën shqiptare të (vetë)ironisë, ku akoma nuk po kuptojmë se çfarë dhe si duhet bërë mirë për këtë vend të mjerë? E vërteta mbi gjykatat dhe gjyqtarët, mbi prokurorinë dhe prokurorët nuk është e paditur.Pothuajse të gjithë shqiptarët që kanë pasur nevojën e institucioneve të drejtësisë janë përballur me padrejtësitë dhe, edhe nëse nuk e kanë pësuar në kurriz, pothuajse të gjithë kanë ndjerë prepotencën, mospërfilljen, arrogancën dhe talljen që iu është bërë nga vendimet e marra.Ka të tjerë që, megjithëse e kanë fituar gjyqin, kanë paguar shumat e larta parash, kanë paguar e ripaguar gjyqtarët dhe janë gjithmonë në rolin e fituesit pa lavdi. Kjo është histori e vjetër në Shqipëri, aq e vjetër sa është edhe demokracia e re dhe e brishtë që kemi. Kjo histori tregohet lirshëm në çdo ambient kafeneje, darkash dhe pushimesh relaksuese, tregohet thjesht në biseda flash në rrugë, kur të njohurit takojnë njëritjetrin, tregohet me të njëjtën lirshmëri sikur po thua se çfarë bleve në pazar.Të njohurit janë qytetarë të zakonshëm, nëpunës, fshatarë, emigrantë, por janë edhe avokatë që shpesh apo kryesisht për të fituar gjyqet luajnë trishtueshëm rolin e sekserëve. Të njohurit janë miq, të afërm, shoqet e mia, shokët e tu, të afërm të gjyqtarëve e çfarëdolloj lidhjeje tjetër kushërinjsh apo krushqish.Por tarafi thuhet se ka qenë edhe më i ndërlikuar kur janë treguar histori me drejtuesit më të lartë të shtetit, si për shembull, histori me president, me kryetarë apo nënkryetarë KLD-sh, të cilët e kanë molepsur apo korruptuar edhe më shumë sistemin e drejtësisë me “gjobat” që iu kanë kërkuar gjyqtarëve në këmbim të aprovimit për punësim.Lus Zotin që këto të fundit të jenë thashetheme… Megjithëse “të thëna”, këto gjëra asnjëherë do të vijë dita të analizohen me kujdes, sepse psikologjia jonë ka ndenjur rehat me idenë se “Shqipëria kështu funksionon” apo se “asgjë nuk ndryshon”. Me sa duket, në thelb të gjithë kësaj psikoze është lodhja e madhe dhe mungesa e besimit – fenomene që jemi të aftë t’i ngremë me shpetësi si kurthe, në të cilat biem vetë. Rasti i shumëpërfolur i javëve të fundit i gjyqtarit Stavri Kallço të Apelit të Korçës, është një rast tipik, i cili vlen për t’u analizuar.Interesante është se si trajtohet fakti. Disa nga kolegët e tij thonë se ia bëjnë për inat, avokatët që e kanë parë të bëjë allishverishe nëpër zyrat e gjykatës apo e referojnë si rast tipik të gjyqtarit të korruptuar thonë se ai tashmë duhet të largohet nga sistemi i drejtësisë, qytetarët komentojnë të indinjuar, e fajësojnë dhe e shajnë dhe shtojnë fakte të reja.Dhe çuditërisht pothuajse të gjithë, shumë pak merren me dramën e rëndë që i është shkaktuar nënës së shkretë, Adelina Hoxhallarit, e cila ka mbetur e pangushëlluar. Askush nuk vlerëson siç duhet guximin që ajo pati për të denoncuar një rast të tillë. Jam e bindur se nëse Ambasadori Amerikan do të flasë veçanërisht për këtë rast e me emër, drejtësia do të vihet në lëvizje menjëherë.Por e thënë me gojën e shqiptarit (aq më shumë e shqiptarit të thjeshtë), denoncimi nuk merr rëndësi. Një tjetër shqetësim që gjeneron ngërçin e rëndë që ka zënë drejtësinë është se nuk ka asnjë shenjë të luftës dhe përpjekjes për drejtësi të brezave të gjyqtarëve. Fatkeqësisht të rinjtë që dalin, magjistratët – studentë të talentuar, kapen shumë shpejt nga kthetrat e stërvitura të baballarëve gjyqtarë, të cilët tashmë janë një model i domosdoshëm për t’u imituar.Ata nuk mund t’i rezistojnë dot makutërisë dhe urisë së thellë për para, as allishverisheve, as marrëveshjeve të shëmtuara në dëm të drejtësisë, dhe në vend që t’i luftojnë “etërit” e korruptuar, i mbështesin, kanë frikë prej tyre e ndonjëherë edhe i tejkalojnë parashikimet imituese.Përsëri në rastin e mësipërm, në vendimin që dha Apeli i Korçës për rastin Hoxhallari, gjyqtarët e tjerë, Olsi Xhavella dhe Brunilda Orhan, janë një gjeneratë e re juristësh, ndryshe nga ajo e Kallços, por që fatkeqësisht nuk dalin dot nga mjerimi i interesit të ngushtë të tarafit. “Kallço bën ligjin aty”, është përgjigjja më e zakonshme që japin avokatët dhe punonjësit e gjykatës.KUSH DO T’I KONTROLLOJË DHE GJYKOJË NJERËZIT E LIGJIT?Pa dyshim që nuk do t’i kontrollojë dhe gjykojë Ambasadori Amerikan. Ai po përpiqet shumë të na thotë ne se si duhet të flasim, se si duhet ta bëjmë këtë. Pra, kjo është koha jonë, natyrisht që gjithmonë ka qenë, por nuk e kuptojmë të gjithë ashtu siç duhet. Politika? Politika e ka vrarë sistemin e drejtësisë, e ka zvarritur nëpër të gjitha skutat, duke i bërë gjyqtarët dhe prokurorët vulnerabël dhe të parëndësishëm.I ka përdorur duke iu përdorur dosjet e sigurimit, i ka urdhëruar dhe i ka kërcënuar dhe njëkohësisht i ka keqpërdorur nëpërmjet pagave të ulëta dhe mungesës së mbrojtjes. Prandaj edhe i ka kontrolluar dhe urdhëruar siç ka dashur. Nuk është rastësi që ende në gjykata, por kryesisht në prokurori ka një numër të konsiderueshëm të personave që kanë bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit apo që kanë qenë hetues të shëmtuar të diktaturës.Natyrisht që këto janë një shqetësim për hartuesit e reformës, por sa do mund të shpëtojmë nga këto të këqija në produktin e ri që po përfundon? Kjo nuk është vetëm dilema e shumë specialistëve, por është dilemë edhe për qytetarët. Frika se mos ato fije deri tani të dukshme që e lidhnin sistemin e drejtësisë me politikën, thjesht do të ndryshojnë ngjyrë dhe do të bëhen të padukshme, është një shqetësim serioz. Sa do të mundet politika të heqë dorë nga kontrolli? Rekomandimet e Venecias natyrisht kërkojnë një konsensus të plotë politik që rekomandimet të zbatohen pikë për pikë.KUSH DO T’I INTERVISTOJË GJYQTARËT PËR RIVLERËSIM? Kjo është një tjetër pyetje që kërkon intervistues të paanshëm dhe të papërlyer, ata që pyetjen kryesore që do t’iu bëjnë njerëzve të ligjit është: Ku i gjete paratë? Unë uroj që ky postulat i shkruar që në kohën e grekëve të lashtë të funksionojë edhe në Shqipërinë e sotme. Duke iu rikthyer pyetjes se kush do t’i kontrollojë dhe gjykojë njerëzit e ligjit, mendoj se akoma më shumë tani është koha që shoqëria civile shqiptare të zgjohet më në fund, të dijë të flasë, të gjykojë, të aktivizohet, të ndihmojë.Është koha që aktivistët e të drejtave të njeriut, të grave dhe fëmijëve, gazetarët dhe intelektualët të shprehen sa më shumë, të analizojnë e të ndihmojnë veten dhe opinionin.Të përfitojmë nga momenti i rëndësishëm për të realizuar më në fund një reformë të mirë, në dobi të vetes sonë dhe të së ardhmes së një shoqërie të civilizuar. A do ta duam ndonjëherë veten tonë? Ky është një moment i rëndësishëm për ta treguar këtë.Marrë nga: Panorama