Viktor Martini: Demokracia ende s’ka ardhur. Në Shqipëri liderët vjedhin popullin
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ish i dënuar i diktaturës komuniste thotë se që nga përmbysja e komunizmit në Shqipëri në fillim të viteve 90, nuk janë mbajtur premtimet për rikthimin e të drejtave të atyre që vuajtën më shumë nga kjo fatkeqësi. Ai fajëson njerëzit në poste të larta për nënvlerësimin e kësaj shtrese të vuajtur dhe thotë se kjo ishte arsyeja që ai e ka refuzuar medaljen Pishtar i Demokracisë, që iu dha nga Presidenca. Zëri i Amerikës e intervistoi zotin Martini, i cili foli nga Bostoni nëpërmjet skype-it.“Demokracia ende nuk ka ardhur në truallin shqiptar. Si mund ta quajmë demokraci mosdhënien e pronave, për të mos thënë grabitja e pronave të kësaj shtrese. Mund të na shtypni por s’na bëni më të heshtim S’mund të na bëni të mos kthejmë kokën prapa për të korigjuar të kaluarën dhe faqen e zezë tuajën. Kam frikë se rinia shqiptare po edukohet keq nga politikanët e Shqipërisë. Shumica janë të pa punë, e mbase të uritur. Cili I ri mendon për historinë e së kaluarës kur I mungon buka në sofër apo një veshje normalisht me shokët e tjerë? Unë vë re kur jam në Shqipëri thonë, ah sikur të gjej një vend pune që të ketë lekë! Cfarë do të thotë të ketë lekë? Do të thotë që të gjejë një vend pune që nëpërmjet korrupsionit, sikur shembullin e ka në parlament dhe në pushtet, e qeveri, të gjithë milionerë, të gjithë lindën pa lekë në xhepa e sot ju kanë dalë ndërtesat si kërpudhat pas shiut. Kjo është edukata që duan ti japin rinisë shqiptare?! Në Shqipëri liderët vjedhin popullin shqiptar, liderët e partive të ndryshme. Ah dosjet! Janë shumë të vonuar dhe them se nuk kanë për tu hapur kurrë”