"Selfie" në sfilatën e Dolce & Gabbana
Shtëpia e famshme e modës Dolce & Gabbana këtë sezon është prezantuar me një ide gati revolucionare.Kjo kompani tërhoqi vëmendjen e mediave për shkak të realizimit të selfie-sfilatës së parë.Me një sfond që ngjante me një fshat tipik italian, Dolce & Gabbana prezantoi koleksionin pranverë-verë 2016.Modele të bukura, të veshura si zonja të viteve '50 dhe '60-të, ishin të pajisura me smartphone dhe shkrepnin selfie gjatë sfilatës së mbajtur në Milano të Italisë. Veshjet e tyre ishin të dizenjuara si kartolina dhe në to shkruhej "Puthje nga Roma", "Përshëndetje nga Napoli" apo "Unë e dua Italinë" etj.E prezantuar me emrin "Italia është dashuri", sfilata rezultoi një triumf i vërtetë për dy stilistët Domenico Dolce dhe Stefano Gabbana, të cilët korrën sukses të madh përmes postimeve direkte në rrjetet sociale. Fotot e çastit të bëra nga modelet ekspozoheshin gjithashtu në një ekran të madh.Fustanet e gjatësive të ndryshme dhe fundet e shkurtra ishin plot ngjyra dhe të zbukuruara me qëndisma me çadra plazhi, apo monumente si Kulla e Pizës, Katedralja e Firences etj. Ndërsa disa kostume ishin qëndisur me lule dhe kombinoheshin me pantallona mëndafshi me vija. Çantat në formën e shportave të vogla, ishin të kuruara deri në detaje me zbukurime të ndryshme.

/Oranews.tv/