18 vjeçarja pjesë e ISIS shkakton 28 të vdekur dhe 100 të plagosur në Turqi (VIDEO)

Të paktën 28 vetë kanë humbur jetën dhe rreth 100 të tjerë kanë mbetur të plagosur pas një shpërthimi të ndodhur në hyrje të një qendre kulturore në qytetin jugor turk, Suruç, pranë qytetit kufitar sirian Kobani. Sipas autoriteteve turke, dyshimet kryesore janë për një sulm të militantëve të Shtetit Islamik, të cilët kanë nën kontroll një pjesë të mirë të vijës kufitare me Turqinë.Autoritetet dyshojnë se shpërthimi është shkaktuar nga një vajzë 18-vjeçare e cila ishte futur mes turmës me rreth 300 pjestarë të Federatës së Shoqatave të Rinisë Socialiste Turke, të cilët ishin mbledhur në qytet pasi po përgatiteshin për të kryer një ekspeditë vullnetare për rindërtimin e qytetit Kobani, i cili ka qenë arenë luftimesh mes kurdëve dhe ekstremistëve të ISIS përgjatë muajve të kaluar.Ngjarja e rëndë ndodhi vetëm pak javë pasi Turqia vendosi të rriste ndjeshëm numrin e trupave dhe armatimeve të rënda në vijën kufitare që ndan me Sirinë, e shqetësuar për rrezikun e transferimit brenda territorit të saj të luftimeve mes forcave kurde dhe atyre të ISIS.Udhëheqësit turq kanë theksuar disa herë që nuk kanë ndërmend të ndërmarrin ndonjë sulm brenda territorit sirian, por do të kufizohen vetëm në mbrojtjen e integritetit territorial të shtetit të tyre. Ankaraja i frikësohet ringjalljes së lëvizjeve separatist kurde brenda vendit pas ndihmave që po marrin kurdët nga aleatët e Turqisë në NATO për të përballuar sulmet e militantëve të ISIS.