Ndahet nga jeta ylli egjiptian i Hollivudit, Omar Sharif
Është ndarë nga jeta, në moshën 83-vjeçare, ylli egjiptian i Hollivudit, Omar Sharif, i famshëm për rolet e tij te klasikët "Lorenci i Arabisë" dhe "Doktor Zhivago", për të cilat fitoi edhe dy çmime Golden Globe, respektivisht në vitiin 1962 dhe 1965.Menaxheri i tij, Stiv Kenis, deklaroi se ai pësoi një atak kardiak në spitalin e Kajros gjatë pasdites së të premtes, ndërsa prej fillimit të vitit ishte konfirmuar se vuante nga Alchajmeri.I lindur në vitin 1932 në Aleksandri, me emrin Mishel Shalhub, pjestar i pakicës katolike të vendit, ai zgjodhi të quhej "Sharif", "fisnik" në arabisht, pas konvertimit në islam për t'u martuar me aktoren egjiptiane Fatem Hamama në vitin 1955.Sharif debutoi në ekranin e madh në vitin 1954 me filmin egjiptian "Djalli i Saharasë" dhe u bë shpejt një yll në vendin e tij, për të fituar më pas famë ndërkombëtare në rolin e tij në epikun hollivudian "Lorenci i Arabisë", por sidomos për rolin e protagonistit te "Doktor Zhivago". Gjatë karrierës së tij ai ka luajtur edhe role të personazheve realë, si Xhenxhis Khan dhe Çe Gevara.
/oranews.tv/