Kriza greke, Guvernatori Sejko takim me Ambasadorin Rokanas

Kriza greke dhe bashkëpunimi dypalësh ishin në qendër të bisedës gjatë takimit të sotëm mes Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Ambasadorit të Greqisë në Tiranë, Leonidas Rokanas.Sipas njoftimit për mediat të BSH-së, Guvernatori Sejko theksoi se Greqia përbën një partner tregtar të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shprehu besimin e tij se populli grek do të gjejë forcat për të kapërcyer këtë moment të vështirë.Më tej, Guvernatori Sejko, e njohu Ambasadorin e Republikës së Greqisë në Tiranë, me rolin e rëndësishëm që luajnë bankat shqiptare me kapital grek në sistemin financiar shqiptar.Sipas Sejkos, këto banka aktualisht gëzojnë gjendje të shëndoshë financiare, likuiditeti dhe kapitalizimi.Banka e Shqipërisë shpreson që në të ardhmen e afërt bankat shqiptare me kapital grek do të kthehen përsëri në parametrat historikë në lidhje me kreditimin e ekonomisë.Guvernatori Sejko, siguroi Ambasadorin Rokanas se Banka e Shqipërisë do të ofrojë mbështetje të plotë për sistemin bankar shqiptar, përfshirë dhe bankat me kapital grek.Të pranishmit diskutuan dhe mbi perspektivat për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve dhe kryesisht, në fushën e sistemit financiar.Ambasadori Rokanas vlerësoi rolin e rëndësishëm të bankave shqiptare me kapital grek, duke nënvizuar se Greqia ka qenë vazhdimisht për vite investitori i parë i huaj në Shqipëri, si dhe një faktor nxitës i ekonomisë së vendit.“Greqia ka qenë një mbështetëse e fortë e përpjekjeve të Shqipërisë për të krijuar një mjedis të shëndetshëm biznesi, për të tërhequr investime të huaja të mëtejshme, për të forcuar rritjen ekonomike të vendit, e për rrjedhim, për të siguruar prosperitet më të madh në Shqipëri”.Në përfundim të takimit në lidhje me situatën në Greqi, bashkëbiseduesit ndanë pikëpamjen se gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë, është në interesin e përbashkët të dy vendeve, për vetë rëndësinë e madhe ekonomike dhe financiare që mbart situata.