“Nestle” tërheq produktet e mishit
Kompania më e madhe e ushqimit në botë, “Nestle”, ka hequr nga tregu ushqimet me mish viçi që vinin nga Italia dhe Spanja pasi testet zbuluan gjurmë të ADN-së së kuajve.Kompania me bazë në Zvicër ka ndaluar shpërndarjen e produkteve që përmbajnë gjithashtu mish nga furnizues gjermanë.“Nestle” është grupi i fundit mes prodhuesve të shumtë të ushqimeve që gjen gjurmë të mishit të kalit në produktet që normalisht duhet të përmbajnë mish viçi.Një zëdhënës i kompanisë deklaroi se niveli i ADN-së së kalit ishte rreth 1 për qind. Javën e kaluar firma deklaroi se produktet e saj nuk përmbanin mish kali.“Nestle” tërhoqi nga tregu dy produkte brumi të ngrira, ravioli me mish viçi të markës “Buitoni” dhe tortelini me të njëjtin lloj mishi, në filialet e saj në Itali dhe Spanjë. Lazanjat në stil bolonjez të prodhimit francez do të tërhiqen gjithashtu nga tregu.Një zëdhënës i kompanisë tha për BBC se “Nestle” ka identifikuar një problem edhe me furnizues nga Gjermania, si dhe nga një kompani që proçeson mishin në Belgjikë.“Nuk ka një emergjencë për sigurinë e ushqimeve, por këto evenimente tregojnë se nuk janë arritur standartet që konsumatorët presin nga ne”, thuhet në deklaratë.