Iran, arrestohet ish-prokurori i Teheranit
Policia iraniane ka arrestuar një ish-prokuror të Teheranit, i konsideruar si një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Mahmoud Ahmadinejad.Saeed Mortazavi pasi u prangos nga forcat e rendit u dërgua në burgun e Evinit, në Teheran, bën të ditur agjencia e lajmeve “Fars”.Deri në janar ai kishte qenë kryetar i një organizate për mirqënien sociale, por ishte shkarkuar për shkak të presioneve nga Parlamenti iranian.Mortazavi, 45 vjeç, ishte përfshirë nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara në vitin 2010. Ai dhe zyrtarë të tjerë u akuzuan nga Uashingtoni për shkelje serioze të të drejtave të njeriut.Analistët thonë se arrestimi i tij mund të jetë rezultati i përplasjes së presidentit Ahmadinejad me parlamentin dhe gjyqësorin.Arrestimi ka gjasa të lidhet me dyshimet për torturimin dhe vdekjen e të burgosurve pas zgjedhjeve të diskutueshme të vitit 2009, njofton “Fars”.Pak ditë pasi ai u shkarkua nga detyra, muajin e kaluar, Mortazavi ishte ripunësuar nga presidenti Ahmadinejad, këtë herë si një zyrtar i thjeshtë i organizatës, duke shkaktuar idinjimin e deputetëve.Teksa mbronte ish-prokurorin në parlament, Ahmadinejad akuzoi kreun e këtij institucioni dhe atë të sistemit gjyqësor për korrupsion, akuza që sipas analistëve mund të jenë një nga arsyet e arrestimit të Mortazavit.