Berisha: Tentakulat e krimit të priten me gërshërët e ligjit, masa edhe për zgjedhjet

Kryeministri Berisha kërkoi nga ministria e financave, prokuroria e përgjithshme dhe drejtoria e luftës kundër pastrimit të parave të hetojnë në lidhjet me krimin e organizuar dhe larjen e parave.Duke folur në mbledhjen e Komitetit për Masat Kundër Krimit të Organizuar, kryeministri Berisha iu referua raportit të “Global Financial Integrity” e cila theksoi se 1.3 miliard dollarë përfundojnë jashtë shtetit."Para dy muajsh një organizatë ndërkombëtare pavarësisht se cila është kompetenca e saj njoftoi se nga Shqipëria kanë përfunduar në kontot e bankave të huaj 1.3 miliard dollarë. Kjo është shifra më e ulët e rajonit dhe në këtë aspekt Shqipëira ishte vendi me shumën më të ulët. Të mos harrojmë që në 2004 raporti i BB-së shprehet se në një vit 1.4 miliard dollarë përfundojnë në kontot e zyrtarëve kontrabandistë.  Unë gjykoj se kjo përbën një motiv të fortë hetimi në radhë të parë ministria e financave e cila duhet ti kërkoj FMN-së të japë të gjitha të dhënat që ia ka dhënë kësaj organizate dhe FMN-ja është detyruar tua japë shteteve anëtare të dhëna të tilla. Prokurori i përgjithshëm, drejtoria kundër larjes së parave duhet të përdorin të gjitha lidhjet në ndjekje të këtyre shumave. Po a ka mundësi të minimizohen dhe të zbulohet krimi?. Kush qëndron prapa dhe nga vijnë.  Rezultate ka në mënyrë të padikutueshme ka por a është krijuar muri ligjor ndaj këtij fenomeni nëpërmjet shembujve kjo nuk ka ndodhur dhe kjo duhet të ndodhë" tha Berisha.Sipas tij, tentakulat e krimit duhet të priten me gërshërët e ligjit ndërsa shprehu besimin se lufta ndaj krimit të organizuar e cila është e një rëndësie jetike do ngrihet në një nivel më të lartë.Kreu i qeverisë kërkoi edhe marrjen e masave gjatë fushatës elektorale duke shtuar se gjatë zgjedhjeve toleranca ndaj krimit duhet të jetë zero.“Ne po shkojmë drejt zgjedhjeve, janë në një farë mënyre dasmat e demokracisë, festat e saj kur qytetarët shprehin në mënyrë periodike vullnetin e tyre. Zgjedhjet janë çështje e garës së forcave politike, ndërkohë nga ana tjetër janë edhe triumf i shtetit ligjor. Pra, sa më mirë të funksionojë ligji aq më të mira do jenë edhe zgjedhjet. Pavarësisht nga fushatat ju duhet të përqendroheni me vendosmërinë më të madhe për 0 tolerancë ndaj krimit të organizuar. Sa më mirë të funksionojë ligji, aq më të mira do jenë zgjedhjet", u shpreh Berisha.Gjithashtu në fjalën e tij, kryeministri theksoi se për një shoqëri të lirë dhe për çdo vend çështjet e sigurisë së qytetarëve, sigurisë së vendit janë çështjet më kryesore dhe me rëndësi kapitale."Objektivi kombëtar dhe më madhori i të gjitha agjensive të zbatimit të ligjeve është që të garantojnë jetën e qytetarëve, rendin publik, të garantojnë rendin kushtetues të vendit.  Përpjekjet dhe arritjet në këtë fushë kanë qënë dhe janë prezente, janë të qënësishme por asgjë nuk ka më të rrezikshme sesa dobësimi dhe vetëkënaqësia në këtë luftë pasi krimi i organizuar, trafiqet janë një fenomen fatkeqësisht prezent, janë një fenomen ndoshta me shkallën më të lartë të bashkëpunimit ndërkombëtar. Krimi i organizuar, terrorizmi, trafiqet shërbejnë në mënyrë më të suksesshme nga format më të avancuara të komunikimit dhe i shfrytëzon në veprat e tyre të zeza. Ata disponojnë dhe qarkullojnë shuma kolosale. Po të marrim vetëm larrjen e parave të pista dhe kjo shumë shkon në mbi 1.2 trilion euro në botë dhe rritet me shpejtësi të madhe" tha Berisha.