Korçë, pakicat kundër ndarjes territoriale: Të grupohen maqedonasit nga Peshkopia në Kukës

Korçë - Përfaqësuesit  e pakicave maqedonase në Korçë kanë dalë kundër variantit me 66 njësi për reformën territoriale. Përfaqësuesi, Vasil Sterjovski, kërkoi rishikim duke marrë parasysh kërkesat e pakicave.“Varianti i miratuar nga komisioni parlamentar të reformës territoriale, nuk ka marrë parasysh kriteret e vendosura nga ana e qeverisë për sa i përket minoriteve. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, konkretisht neni 20 që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të minoriteteve, neni 108, paragrafi 2, që ka të bëjë me qeverisjen vendore, kartën europiane të qeverisjes vendore si dhe Konventa në Kuadër për Mbrojtjen e të Drejtave të Minoriteve, të cilat Shqipëria i ka nënshkruar dhe ratifikuar.Në variantin e miratuar nuk u morën parasysh kërkesat e minoritetit maqedonas në Shqipëri, përveç komuna e Pustecit e cila parashikohet të mbetet. Shkrihen komunat në zonat e Gollobordës duke cënuar të drejtat dhe humbjen e identitetit të komunitetit maqedonas” – deklaroi Sterjovski.Sterjovski propozon dhe një ndarje konkrete ku e zgjeron hartën deri në Peshkopi e Kukës, me grupim të zonave që sipas tij banohen nga pakicat maqedonase.“Komunat Steblev, Trebisht dhe Ostren në zonën e Gollobordës , të bashkohen dhe të krijohet bashkia e Gollobordës. Në qarkun e Kukësit , komunat Shishtavec, Topojan dhe Zapot të bashkohen dhe të krijohet bashkia e Gores. Kurse në qarkun e Korçës komuna e Pustecit në zonën e Prespës, të riemërtohet, bashkia e Prespës” – theksoi Përfaqësuesi I pakicave maqedonase në Korçë.Aleanca maqedonase për integrim evropian, i ka bërë thirrje organizmave ndërkombëtar që të ndërhyjnë në rast shkeljesh të të drejtave të pakicave.