Bizneset të paguajnë energjinë, ndryshe përjashtohen nga tenderat

Tiranë- Ndonëse që prej janarit punonjësit e administratës shtetërore e publike janë penalizuar në paga për mospagesën e energjisë elektrike, qeveria ka vendosuar ta bëjë ligjore këtë fakt.Por jo vetëm rrogtarët janë të prekur nga ky ligj, por edhe kompanitë debitore ndaj CEZ dhe KESH, të cilët do të penalizohen me përjashtim nga çdo tender nëse nuk e paguajnë atë çka shpenzojnë. Në ndryshimet ligjore citohet se çdo subjekt duhet që të ketë:“Një dëshmi që konfirmon shlyerjen e të gjitha detyrimeve të maturuara të energjisë elektrike të kontratave të energjisë që ka operatori ekonomik që është i regjistruar në Shqipëri. Mosshlyerja e detyrimeve të energjisë elektrike, përbën shkak për skualifikimin e operatorit ekonomik, përveç rastit kur rezulton se detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, të konfirmuara në vërtetimin e lëshuar nga furnizuesi, janë në proces ankimi në gjykatë. Furnizuesi i energjisë elektrike, është i detyruar që të lëshojë këtë dëshmi jo më vonë se 5 ditë nga depozitimi i kërkesës nga operatori ekonomik".Këshilli i Ministrave ka miratuar dy vendime të propozuara nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, ku vendosen disa shtrëngime për ata që nuk paguajnë energjinë. Propozimi i dytë i drejtohet subjekteve që kërkojnë të marrin një leje minerare."Në çdo rast, kërkuesi, është i detyruar që përveç një ose disa vërtetimeve që provojnë kapacitetin financiar, të paraqesë detyrimisht edhe një vërtetim që konfirmon shlyerjen e të gjitha detyrimeve të energjisë elektrike për kontratën/at e energjisë që ka kërkuesi, i regjistruar në Shqipëri. Mosplotësimi i këtij kushti, përbën shkak për refuzimin e aplikimit, përveç rasteve kur rezulton se detyrimet e papaguara të energjisë elektrike, të konfirmuara në vërtetimin e lëshuar nga furnizuesi, janë në proces ankimi në gjykatë”.Këto ndryshime ligjore kanë si synim disiplinimin e konsumatorëve për pagesën e detyrimeve të energjisë elektrike dhe do të zbatohen në bashkëpunim me strukturat e kompanisë së shpërndarjes.