Pas tre ditë mungese të ujit, rikthehet normaliteti në spitalin e Shkodrës

Shkodër- Pas 3 ditësh pa ujë të pijshëm që detyroi edhe pezullimin e operacioneve në spitalin rajonal të Shkodrës, këtë të premtë është rikthyer normaliteti në këtë institucion shëndetësor.Konfirmimi vjen nga nën.drejtoresha, Dhurata Uruçi, e cila gjatë një interviste për “Ora News”tha se falë publikimit në media, erdhi edhe reagimi më i shpejtë.Ajo shton se për 6 operacionet e shtyra do të hartohet një grafik për t’u përmbyllur gjatë javës që vjen. Pas këtij problemi spitali do të mendojë për të krijuar një linjë me shpim nëntokësor për furnizimin me ujë, thekson Uruçi.Për problemin e krijuar në të gjithë qytetin e Shkodrës sa i përket furnizimit me ujë, ka reaguar edhe Drejtori i Ujësjellësit, Leonard Kepi.Duke folur për “Ora News” ai shpjegon të gjithë situatën e krijuar dhe defektin tek stacioni i “Dobraçit”.Përveç ndërprerjeve të Ujësjellësit, në spital mungesa e ujit u shkaktua edhe nga djegia e pompës kryesore që furnizon këtë institucion.Ndërhyrja nga persona të pautorizuar në rrjetin e Ujësjellësit la pa ujë të gjithë Shkodrën për 3 ditë me radhë. Për këtë ngjarje policia ka nisur hetimet për të gjetur autorët e këtij veprimi që rrezikoi edhe shpërthimin e tubacionit kryesor.