Lutaj: Berisha kërkon t’i vërë gurë nën rrota zhvillimeve të shtetit

Tiranë- Mazhoranca akuzon opozitën se po e përdor ngjarjen në Divjakë politikisht. Në një intervistë për RTV Ora News, deputeti socialist Pirro Lutaj, deklaron se opozita me në krye ish-kryeministrin Berisha po tenton t’i vërë gurë nën rrota zhvillimeve të vendit, në një kohë kur në qershor pritet verdikti i BE për statusin kandidat.“Saliu po bërtet bashkë me salinjtë e tij të japë dorëheqjen Ministri i Brendshëm, Shqipëria është bërë Kolumbi. Pse është bërë Kolumbi? Shqipëria ndoshta ka qenë Kolumbi kur qeveriste Sali Berisha. Shteti shqiptar është në këmbë, opozita po bën të kundërtën. E dinë shqiptarët se çdo të thotë kur del Saliu në opozitë. Është ajo shprehja e famshme: “Po ika unë, pas meje u bëftë kijameti”. Shqipëria pret të tjera zhvillime në qershor, opozita me në krye Berishën bën të njëjtën gjë që ka bërë historikisht, po tenton ti vërë gurë nën rrota zhvillimeve të shtetit shqiptar” tha ai.Deputeti socialist mbetet i mendimit se për rastin e Divjakës, në bindjen e tij i izoluar, ajo pjesë e shtetit që nuk ka funksionuar duhet të mbajë përgjegjësi, por jo detyrimisht policia që sipas tij e ka bërë mirë detyrën.“Unë ju them që nga kjo mazhorancë nuk keni për të dëgjuar të marrë në mbrojtje persona nëse janë përfshirë në veprime të tilla. Organet ligjzbatuese janë duke u marrë me këtë cështje, çdo elementë të këtij shteti që nuk kanë funksionuar le të mbajnë përgjegjësitë që u takojnë. Por kjo s’do të thotë që përfaqësuestë opozitës ta konsiderojnë një dështim të policisë, dështim të shtetit”tha ai.lutaj per drogenE ndërsa opozita me një vendim të marrë sot në mbledhjen e grupit parlamentar kërkon dorëheqjen e kryeministrit Rama, Lutaj dha këtë koment për gazetarin Edvin Peçi.“Opozita nuk mund të hedhë paradokse të tilla që të vërë kushte që Kryeministri të ikë të hënën apo të martën. Do ishin fatlum shqiptarët nëse do kishin pasur një Kryeministër që të njihte dhe respektonte modelin e dorëheqjes. Ky ish-kryeministër që i kërkon dorëheqjen e Kryeministrit aktual për të cilin nuk ka asnjë fakt që është implikuar asnjë punonjës policie, asnjë roje asnjë element i këtij shteti, ndërkohë që vetë nuk ka dhënë dorëheqjen kur ka qenë i përzier në një vepër ku kanë mbetur të vdekur 26 qytetarë të pafajshëm shqiptarë përshirë edhe baxhanakun e ish-Kryeministrit. Nuk jemi këtu për alucinacionet e Sali Berishës dhe përfaqësuesve të opozitës. Po hidhet tymnajë. Çantën e pilotit e kanë marrë media të veçanta dhe opozita dhe e kanë komentuar si çanta me drogë që dilnin nga avioni për të shkuar në destinacione të tjera. Mazhoranca është e fokusuar të ndryshojë realitetin e këtij vendi. Shteti është në këmbë. Sot nuk mund të ndodhë që një avion të dalë nga radarët dhe të bëjë çfarë ti dojë qejfi. Duhet të lëmë organet të bëjnë punë e vet, pasi çdo ndërhyrje nuk është në interes të Shqipërisë” deklaroi Lutaj.(Video: Intervista e plotë në Ora News)