Spiropali në Ankara, bashkëpunim mes dy administratave doganore
Drejtoresha e Përgjithshme të Doganave, Elisa Spiropali, zhvilloi një vizitë zyrtare në Ankara, ku është takuar me Nënsekretarin e Ministrisë së Doganave dhe Tregtisë së Turqisë,Ziya Altunyaldiz.Takimi i zhvilluar në Ankara ishte një hap i mëtejshëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy Administratave Doganore. Spiropali dhe Altunyaldiz evidentuan bashkëpunimin e ngushtë dhe lidhjet e sinqerta që ekzistojnë mes dy vendeve tona, duke shprehur angazhimin e tyre personal në rrugën drejt intensifikimit të marrëdhënieve në të ardhmen.Spiropali shprehu gatishmërinë e saj në vendosjen e themeleve për shkëmbimin e eksperiencave më të mira me Administratën Doganore të Turqisë. U diskutua për intensifikimin në shkëmbimin e informacionit përmes studimit të eksperiencave më të mira në fushën analizës së riskut, trajnimit të stafit doganor, shkëmbimit të informacionit për arsye statistikore dhe më gjërë.Në këtë bashkëbisedim, Altunyaldiz vlerësoi punën e realizuar nga Doganat Shqiptare muajt e fundit si dhe ofroi ndihmën e hapur dhe bashkëpunimin e ngushtë të Ministrisë së Tregtisë dhe Doganës Turke në cdo aspekt për lehtësimin e tregtisë mes dy vendeve.Në terma konkretë u diskutua mes stafit teknik të dy administratave doganore Protokolli i Bashkëpunimit për Shkëmbimin Statistikor të të Dhënave. Ky diskutim i hap rrugën nënshkrimit të këtij Protokolli në muajt në vijim duke ndërmarrë kështu hapin e parë drejt thellimit të bashkëpunimit në kuadër të shkëmbimit të informacionit.Gjithashtu, u propozua krijimi i Komitetit të Përhershëm të Përbashkët Doganor me qëllim formalizimin dhe forcimin e strukturave doganore mes dy shteteve. Znj. Spiropali dhe Z. Altunyaldiz në fund të takimit nënshkruan Deklaratën e Përbashkët për Planin e Bashkëpunimit mes dy administratave doganore.Drejtorja e Përgjithshme e Doganave kërkoi bashkëpunimin e Turqisë në lobimin për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore të Doganave.Me ftesë të Znj. Spiropali, Nënsekretari i Ministrisë për Doganat dhe Tregtinë Turke do të vizitojë Shqipërinë në muajin Tetor 2014.Turqia është një vend partner i Shqipërisë, me shkëmbime të konsiderueshme tregtare si në import ashtu edhe në eksport.