Nishani pret kreun e OSBE: Domosdoshmëri, përfshirja e Kosovës në Organizatë
Presidenti Nishani vlerësoi ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës për Shqipërinë, që nga fillimi i proceseve demokratike. Në takimin me kryetarin e OSBE-së, Didier Burkhalter, presidenti Nishani çmoi bashkëpunimin me OSBE-në dhe prezencën e saj në Shqipëri për ndërtimin dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, në fushën e legjislacionit, të drejtave të njeriut, çështjet e sigurisë, në evoluimin pozitiv të ligjit elektoral dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit për reformën territorial.
Gjithashtu një temë e rëndësishme e cila u prek gjatë takimit, ishte afrimi i Kosovës në OSBE, duke u shprehur se “Shqipëria ka bërë disa herë thirrje për marrjen e masave që Kosova të afrohet gradualisht me OSBE-në deri në pjesëmarrjen e saj të plotë në Organizatë, hapa këto, të cilat do të ndihmonin demokratizimin e mëtejshëm të shoqërive në rajon, si edhe pajtimin, dialogun, mirëbesimin dhe frymën e bashkëpunimit rajonal.”Presidenti Burkhalter vuri në dukje interesin e vendit të tij për të zhvilluar më tej bashkëpunimin dypalësh dhe shtoi se “ Zvicra ka vullnetin e plotë të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë për arritjen e standardeve të kërkuara evropiane edhe pse nuk është vetë një vend anëtar i Bashkimit Evropian.”Ai shtoi më tej se OSBE-ja po kontribuon në paqëtimin dhe bashkëpunimin në Ballkan dhe theksoi se “po e bëjmë këtë edhe nëpërmjet përfshirjes së Kosovës në aktivitete që lidhen me OSBE-në. Nismat e ardhshme do të jenë shumë efikase për rajonin, por ato duhet të gëzojnë mbështetjen e të gjitha palëve.”Kreu i OSBE takim dhe me Ministrin e Jashtëm BushatiBurkhalter u prit në një takim edhe nga Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Ministri Bushati shprehu mbështetjen për rolin e kryesisë zvicerane dhe të OSBE-së në zgjidhjen e krizës në Ukrainë si dhe siguroi për vijueshmërinë e angazhimit të qeverisë shqiptare në misionin e monitorimit atje.Nga ana e tij, Burkhalter vlerësoi rolin konstruktiv të Shqipërisë dhe paraqiti prioritetet e kryesisë zvicerane në drejtim të forcimit të bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor. Biseda vijoi me shkëmbimin e mendimeve mbi një sërë çështjesh të lidhura me reformën e OSBE-së dhe angazhimin e kryesisë zvicerane për mundësimin e afrimit të Kosovës me OSBE-në dhe mbështetjes së integrimit shoqëror-politik të bashkëkombësve tanë në vendet e rajonit.
Gjatë takimit bashkëbiseduesit i kushtuan vëmendje edhe çështjeve dypalëshe. Ministri Bushati shprehu mirënjohje për kontributin dhe asistencën konkrete zvicerane për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare, duke vlerësuar vullnetin e përbashkët për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.