Plani për Lindjen e Mesme mund të përjashtojë Gazën
Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shpreson që një projekt-marrëveshje për paqen në Lindjen e Mesme, e cila do të bëhet publike së shpejti, të ndihmojë në zgjatjen e bisedimeve të brishta mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez me bazë në Bregun Perëndimor. Është pothuajse e sigurt që marrëveshja nuk do të përfshijë Rripin e Gazës.Zyrtarët amerikanë nuk kanë publikuar pothuasje asnjë detaj rreth planit për paqen në Lindjen e Mesme, të cilin Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shpreson ta bëjë të ditur brenda muajit të ardhshëm. Diçka që nuk është përmendur shpesh është fakti se marrëveshja pothuajse me siguri do të anashkalojë Gazën, një rrip toke i ngushtë dhe me popullsi të dendur, që cilësohet vendimtar për një marrëveshje të plotë paqeje izraelito-palestineze.Negociatorët amerikanë nuk kanë shumë mundësi për këtë çështje. Gaza udhëhiqet nga Hamasi, një grup islamik i vijës së ashpër që kundërshton në mënyrë të vendosur negociatat me Izraelin dhe që Departamenti Amerikan i Shtetit e ka të regjistruar si organizatë terroriste.Zëdhënësja e Hamasit Israa al-Modallal i dënoi bisedimet. Ajo tha se mendon se udhëheqësi i Autoritetit Palestinez Mahmud Abas, një rival i hershëm i Hamasit, nuk do të arrijë asgjë në shërbim të popullit palestinez."Ne nuk i kërkuam atij të shkonte të fliste në emrin tonë. Dhe ky është një gabim i madh që Mahmoud Abbas bëri. Sa i përket projektit të zotit Kerry, ne jemi 100 për qind kundër dhe duam që ky plan të ndalet që sot."Pa përfshirë Gazën, shumë analistë mendojnë se gjasat janë të pakta që bisedimet të mund të çojnë në një zgjidhje diplomatike të konfliktit disa dekadësh apo në krijimin e një shteti të pavarur e të qëndrueshëm palestinez. Por në dhjetor, Presidenti Barak Obama tha se nëse mund të gjehet një "rrugë për paqen" në Bregun Perëndimor , "kjo do të ishte diçka që do të kërkojnë dhe të rinjtë e Gazës".Udhëheqësit izraelitë kanë insistuar për një kohë të gjatë duke thënë se ata që u larguan apo u dëbuan nga zonat që u bënë pjesë e Izraelit gjatë krijimit të vendit në vitin 1948 nuk do të lejohen të kthehen, prej shqetësimeve se kjo do të rrezikonte natyrën hebraike të shtetit të tyre. Gjashtëdhjetë e gjashtë vjet më vonë, aktivistët palestinezë thonë se çështja e refugjatëve mbetet aspekti më i rëndësishëm i pazgjidhur i konfliktit.Izraeli aktualisht kontrollon pothuajse të gjithë kufijtë e Gazës, si dhe hapësirën e saj ajrore dhe bregdetin mesdhetar. Gjithashtu Izraeli vendos në mënyrë të rreptë gjërat që territori i varfër mund të importojë dhe eksportojë.Por Izraeli këmbëngul se shqetësimet e sigurisë nuk e lejojnë të lehtësojë kufizimet. Nëse nuk miratohet një zgjatje e mëtejshme e bisedimeve, ato do të përfundojnë në fund të prillit.