Obama dhe Putin diskutojnë për krizën në Ukrainë

Ndërkohë që tensionet mes Lindjes dhe Perëndimit vijojnë lidhur me Ukrainën, Shtëpia e Bardhë thekson se Presidenti Barak Obama i tha homologut rus Vladimir Putin se veprimet e Moskës në Ukrainë përbëjnë dhunim të sovranitetit të Ukrainës.Një deklaratë e Shtëpisë së Bardhë thekson se dy udhëheqësit zhvilluan një bisedë telefonike një orëshe, gjatë së cilës Obama foli për veprimet e Uashingtonit dhe aleatëve të tij në përgjigje të pranisë së trupave ruse në gadishullin e Krimesë.Ky është kontakti i parë zyrtar që dihet se kanë pasur dy udhëheqësit botërorë që kur trupa ushtarake ruse u shfaqën në territorin e Ukrainës.Deklarata shton se Presidenti Obama propozoi disa zgjidhje diplomatike për ballafaqimin që, siç u shpreh ai, marrin parasysh “interesat e Rusisë, popullit të Ukrainës dhe komunitetit ndërkombëtar”.Në kuadër të propozimeve për zgjidhje, Presidenti Obama bëri thirrje për bisedime të drejtpërdrejta mes Kievit dhe Moskës me ndërmjetësimin e komunitetit ndërkombëtar. Zoti Obama bëri thirrje për kthimin e trupave ruse në bazat e tyre dhe për dërgimin e vëzhguesve ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë e të gjithë ukrainasve, përfshirë banorët rusë në Ukrainë.