Anëtarët e SPD i thonë 'Po' koalicionit me konservatorët e Angela Merkel
Tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare në Gjermani me numërimin e votave të anëtarëve të SPD u morr vendimi përfundimtar për koalicionin e gjerë. Ndërkohë mediat japin emrat e disa prej ministrave të ardhshëm.Socialdemokratët votuan me 76 për qind për koalicionin e madh. Numërimi i votave në Berlin vazhdoi deri të shtunën pasdite. Rreth 70 për qind e afro 470.000 anëtarëve të SPD-së morën pjesë në votimin për marrëveshjen e koalicionit.Kryetari i socialdemokratëve Sigmar Gabriel u shpreh krenar për referendumin e bazës: "Kaq të angazhuar politikisht nuk e kam përjetuar asnjëherë partinë time gjatë 36 vjetëve që i përkas!"Unioni CDU/CSU dhe SPD të dielën do të bëjnë zyrtarisht të ditur ndarjen e posteve ministrore. Sipas informacioneve të deritanishme kryetari i SPD-së Sigmar Gabriel do të marrë drejtimin e "superministrisë" së re për Ekonomi dhe Energji. Kryetari i deritanishëm i grupit parlamentar të SPD-së në Bundestag Frank-Walter Steinmeier pritet të marrë postin e ministrit të Jashtëm.Socialdemokratët do të marrin gjithsej gjashtë ministri. Partia Kristiansociale (CSU) do të drejtojë tri ministri. Ndërsa CDU e kancelares Angela Merkel do të marrë pesë ministri dhe shefin e zyrës së kancelares.Në këtë post pritet ndryshim pasi ministri i deritanishëm i zyrës së Kancelares Ronald Pofalla sipas informacioneve të medieve do të tërhiqet nga politika për në sektorin e ekonomisë private.Ministri aktual i Financave Wolfgang Schäuble do të mbetet edhe më tej në krye të ministrisë së Financave.Më tej Spiegel Online informon se Ursula von der Leyen do të jetë ministrja e re e Mbrojtjes, dhe e para grua në krye të kësaj ministrie. Ajo zëvendëson në këtë detyrë Thomas de Maizière.