Padi kundër ligjit francez që ndalon ferexhetë
Dy vjet pas futjes në fuqi të ligjit që ndalon përdorimin e ferexhesë, një traditë e veshjes së disa grave konservatore myslimane, ky kufizim po ballafaqohet me sfida ligjore. Paditë ligjore në gjykata evropiane dhe franceze mund ta detyrojnë qeverinë franceze të anulojë ligjin dhe mund të sjellin ndikim edhe më të gjerë në Evropë.Në 2011, Franca u bë vendi i parë evropian që ndalonte ferexhetë në vende publike. Ligji përfshinte, së paku në teori, edhe maskat, përveç shamive që mbulojnë fytyrën, por u pa si një politikë që vinte në shenjestër 5 milionë myslimanët e Francës, komuniteti më i madh mysliman në Evropë. Debati përfshiu mbarë rajonin. Belgjika ndoqi shembullin e Francës duke miratuar një ligj të ngjashëm. Në shtator, të njëjtën masë mori edhe një kanton i Zvicrës në jug të vendit.Franca e arsyeton ndalimin e ferexheve si një masë në interes të sigurisë kombëtare dhe të traditës laike të vendit.Por sot, ligji francez po sfidohet nga një padi në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe një tjetër në Versajë pranë Parisit.Padia është ngritur nga një 20-vjeçare e konvertuar në myslimane, Cassandra Belin, e cila nuk ishte e pranishme para gjykatës në Versajë. Por avokati i saj, Philippe Bataille vuri në pikëpyetje kushtetueshmërinë e ligjit, i cili u miratua nga qeveria e mëparshme konservatore.Në atë kohë, Këshilli Kushtetues i Francës, organi më i lartë ligjor në vend, nuk kishte kundërshtim ndaj ligjit. Por avokati Bataille argumenton se ligji duhet marrë në shqyrtim për të analizuar nëse bie ndesh me liritë personale dhe dinjitetin njerëzor të sanksionuara në sistemin ligjor francez dhe evropian.Ai thekson se ligji mund të zbatohet vetëm në rrethana specifike, si në aeroporte ku mbulimi i fytyrës paraqet kërcënim për sigurinë.Autoritetet franceze përllogarisin se vetëm 100 gra janë ndaluar apo gjobitur për vënien e ferexhesë që kur hyri në fuqi ligji. Por ky ligj vazhdon të ushqejë përçarje të thella. Në nëntor, Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg pranoi ta merrte në shqyrtim ligji.Nicolas Cadene i Agjencisë qeveritare për Mbikqyrjen e Statusit Laik thotë se nëse Gjykata e Strasburgut arrin në përfundimin se ligji bie ndesh me konventën e Evropës për të drejtat e njeriut, Franca mund të detyrohet të hartojë një ligj të ri.Vendimet mbi dy paditë ligjore do të merren vitin e ardhshëm. Ashtu si ligji për ferexhetë, edhe këtë radhë vendimi pritet të zgjojë reagim në Francë dhe përtej saj.