Rritet tensioni në krahun lindor të NATO-s, Rumania përballet me valën e tretë të dronëve të paautorizuar
Tensionet në krahun lindor të NATO-s po shtohen, pasi Rumania njoftoi se një avion luftarak F-16 i Forcave Ajrore rumune ka rrëzuar një tjetër dron që kishte hyrë pa autorizim në hapësirën ajrore të vendit.
Ky është incidenti i tretë brenda tre ditësh, duke ngritur shqetësime në Bukuresht për sigurinë në zonën kufitare, ndërsa lufta në Ukrainë vijon dhe përplasjet pranë kufijve të NATO-s janë shtuar. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rumanisë, droni u zbulua duke lëvizur në hapësirën ajrore rumune dhe u neutralizua të dielën në mëngjes nga një pilot që drejtonte një avion luftarak F-16.
Autoritetet bënë të ditur se droni u rrëzua mbi ujërat territoriale të Rumanisë, rreth 12 kilometra në verilindje të Sulinës. “Pilotët tanë rrëzuan një dron të tretë që kishte hyrë në hapësirën ajrore rumune. Në orën 10:13, një pilot rumun me një avion luftarak F-16 neutralizoi mjetin pa pilot”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes. Autoritetet rumune po vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën e dronëve.
Sipas prokurorëve që po analizojnë mbetjet e njërit prej dronëve të rrëzuar më herët, provat paraprake tregojnë se bëhet fjalë për një dron të tipit Shahed, model që përdoret nga Rusia në operacionet ushtarake në Ukrainë. Presidenti rumun Nicușor Dan përgëzoi pilotët dhe Forcat Ajrore për reagimin e tyre, duke deklaruar se ata mbrojtën sovranitetin e vendit dhe sigurinë e qytetarëve.
Ai paralajmëroi gjithashtu se Rumania do të vijojë me një demarsh diplomatik ndaj Federatës Ruse, bazuar në rezultatet përfundimtare të hetimeve. “Çdo shkelje e hapësirës ajrore rumune është e papranueshme. Kjo është hapësirë ajrore e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian dhe çdo incident i tillë trajtohet me seriozitetin më të madh në bashkëpunim me aleatët tanë”, u shpreh Dan.
Incidentet e fundit kanë rritur nivelin e gatishmërisë së ushtrisë rumune, pasi vendi ndodhet në kufi me Ukrainën dhe është një nga shtetet më të ekspozuara të NATO-s ndaj pasojave të luftës. Autoritetet në Bukuresht po monitorojnë nga afër situatën, ndërsa priten rezultatet përfundimtare të hetimeve që do të përcaktojnë hapat e mëtejshëm ushtarakë dhe diplomatikë.
