PAUZË NË LUFTËN SHBA-IRAN/ Trump ndalon përkohësisht b*mbardimet, vijojnë k*rcënimet

Pas 13 ditësh bombardimesh të vazhdueshme ndaj Iranit, Shtetet e Bashkuara kanë ndalur përkohësisht sulmet e reja, duke ngritur pikëpyetje mbi hapat e ardhshëm të Uashingtonit dhe mundësinë e një përpjekjeje për të shmangur zgjerimin e konfliktit.

Sipas mediave amerikane, presidenti Donald Trump ka lënë në pritje, të paktën për momentin, planet për një ofensivë më të gjerë ushtarake. Gjatë diskutimeve në Shtëpinë e Bardhë, drejtuesit ushtarakë kanë paralajmëruar se vazhdimi i sulmeve mund të ndikojë në rezervat amerikane të raketave Patriot dhe pajisjeve të mbrojtjes ajrore në rajon.

Edhe zyrtarë të lartë amerikanë kanë shprehur shqetësime për pasojat e një fushate të re ushtarake. Sipas raportimeve, një zgjerim i konfliktit mund të përfshijë më shumë vende të Lindjes së Mesme dhe të rrisë presionin mbi kapacitetet ushtarake amerikane.

Nga ana tjetër, Irani paralajmëron se një vazhdim i sulmeve mund ta zgjerojë luftën përtej kufijve aktualë. Ushtria iraniane ka bërë të ditur se çdo goditje e re ajrore do të sillte pasoja më të gjera në rajon.

Edhe Garda Revolucionare iraniane ka rritur kërcënimet ndaj vendeve që mbështesin ushtarakisht SHBA-në, duke përmendur Britaninë e Madhe dhe disa vende të Gjirit Persik si shtete që mund të përfshihen në konflikt.

Teherani ka pretenduar se gjatë javëve të fundit ka shkaktuar humbje ndaj forcave amerikane, përfshirë rrëzimin e mjeteve ushtarake, por këto pretendime nuk janë konfirmuar nga Uashingtoni.

Ndërkohë, Komanda Qendrore Amerikane ka njoftuar se bllokada detare ndaj Iranit vijon të jetë aktive. Sipas saj, disa anije tregtare janë ndaluar ose kontrolluar pasi tentuan të kalonin kufizimet detare.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më të ndjeshme të krizës, pasi përmes saj kalon një pjesë e rëndësishme e transportit global të naftës. Irani ka bërë të ditur se rregullat e lundrimit në këtë zonë nuk kanë ndryshuar, ndërsa bisedimet për sigurinë detare vazhdojnë.

Në të njëjtën kohë, tensionet vijojnë edhe në territoret palestineze, ku janë raportuar incidente të reja mes izraelitëve dhe palestinezëve.