PËRVËLOHET EUROPA/ Shënohet viktima e parë nga zjarret në Spanjë, humb jetën mes flakëve 70-vjeçari në Valencia

Zjarret masive vijojnë të godasin Francën dhe Spanjën, ndërsa mbi 300 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të përhapjes së flakëve. Temperaturat e larta dhe erërat e forta po vështirësojnë përpjekjet e zjarrfikësve për të vendosur situatën nën kontroll.

Në jugperëndim të Francës, zjarret kanë përfshirë rajonet Gironde dhe Landes, ku mijëra zjarrfikës po punojnë për shuarjen e flakëve. Vetëm gjatë së shtunës, rreth 55 mijë persona të tjerë u urdhëruan të evakuohen, duke e çuar numrin total të të larguarve në rreth 250 mijë.

Erërat e forta kanë shtyrë tymin dhe flakët drejt zonave pranë qytetit të Bordeaux. Një zyrtar francez bëri të ditur se situata mbetet shumë e vështirë dhe se autoritetet janë ende larg kontrollit të plotë të zjarrit.

Për të përballuar krizën, Franca ka mobilizuar edhe ushtrinë, e cila po ndihmon zjarrfikësit duke pastruar bimësinë dhe duke krijuar barriera për të kufizuar përhapjen e flakëve.

Në Spanjë, situata mbetet kritike. Autoritetet kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, ndërsa kushtet e ndryshuara të motit kanë ndihmuar pjesërisht operacionet e zjarrfikësve në zonat pranë Madridit.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez paralajmëroi për ditë të vështira përpara, ndërsa autoritetet në Valencia konfirmuan vdekjen e një burri rreth të 70-ave, i cili u gjet brenda makinës së tij gjatë operacioneve për shuarjen e një zjarri në Manises.

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri të ditur se zonat e prekura do të rindërtohen dhe se qeveria do të vazhdojë mbështetjen për komunitetet e prekura.

Situata e zjarreve vijon të mbetet një nga sfidat më të mëdha të këtij sezoni veror në Evropë, ndërsa autoritetet vazhdojnë përpjekjet për të kufizuar dëmet.