Mb*tet anija vietnameze në Detin e Kinës Jugore, 23 persona rezultojnë të zhdukur
Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi po zhvillohet në Detin e Kinës Jugore, pasi një anije mallrash vietnameze u mbyt, duke lënë 23 persona të zhdukur. Deri më tani, ekipet e emergjencës kanë arritur të shpëtojnë 39 persona.
Sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV, anija “Khoi Nguyen 18”, me 62 shtetas vietnamezë në bord, dërgoi një sinjal alarmi pasi hasi vështirësi në zonën detare pranë Fiery Cross Reef, në Ishujt Spratly.
Në operacionin e kërkim-shpëtimit janë angazhuar gjashtë anije kineze, një helikopter dhe një anije vietnameze, ndërsa kërkimet për të zhdukurit vijojnë pa ndërprerje. Anija, e regjistruar në Vietnam, ishte rreth 70 metra e gjatë dhe kishte një tonazh bruto prej 999 tonësh.
Zona ku ndodhi incidenti është pjesë e Ishujve Spratly, të njohur nga Kina si Ishujt Nansha, një arkipelag i kontestuar në Detin e Kinës Jugore dhe i pasur me burime natyrore. Kina pretendon sovranitet mbi pothuajse të gjithë këtë rrugë ujore strategjike, duke përfshirë Ishujt Spratly, ku ka ndërtuar pista ajrore dhe ishuj artificialë të militarizuar.
Megjithatë, këto pretendime kundërshtohen nga Vietnami, Filipinet, Tajvani, Malajzia dhe Brunei, të cilat gjithashtu pretendojnë pjesë të zonës.
