SHBA dhe Britania thërrasin konferencë për Hormuzin, synohet koalicion detar për mbrojtjen e anijeve
Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe po planifikojnë të zhvillojnë javën e ardhshme në Londër një konferencë ndërkombëtare të nivelit të lartë për sigurinë në Ngushticën e Hormuzit.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, qëllimi i takimit është krijimi i një koalicioni detar ndërkombëtar për mbrojtjen e anijeve tregtare dhe rikthimin e lirisë së lundrimit në një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Në konferencë pritet të marrin pjesë ministra të Mbrojtjes dhe drejtues ushtarakë nga vende perëndimore dhe shtete të rajonit.
Nisma vjen pas rritjes së tensioneve në Gjirin Persik dhe sulmeve ndaj anijeve tregtare, të cilat kanë rritur shqetësimet për sigurinë e furnizimeve globale me energji.
Data përfundimtare dhe axhenda e konferencës janë ende duke u finalizuar, por Uashingtoni dhe Londra synojnë të ndërtojnë një mision të përbashkët detar për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve në Ngushticën e Hormuzit dhe për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës.
