Bardhi: Sa më shumë qytetarë i bashkohen protestës, aq më shumë humbet durimin

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas komenteve të kryeministrit Edi Rama për protestën e opozitës.
Në një postim publik, Bardhi e lidhi gjuhën e përdorur nga Rama me pjesëmarrjen e qytetarëve në protestë, duke argumentuar se rritja e mbështetjes për protestat po sjell reagime më të ashpra nga ana e kryeministrit.
“Sa më shumë qytetarë i bashkohen protestës, aq më shumë humbet durimin Edi Rama. Nga një kalbësirë korrupsioni si ai nuk pritet asgjë më shumë se fyerja e protestuesve që e refuzojnë si kryeministër”, shkruan Bardhi.
Më tej, ai kundërshtoi akuzat e Ramës ndaj protestuesve, duke i cilësuar ato si përpjekje për të shmangur debatet mbi problemet e vendit.
Sipas Bardhit, protesta përfaqëson reagimin e qytetarëve ndaj qeverisjes dhe situatës së krijuar në vend. Ai e cilësoi atë si një mundësi për të shprehur pakënaqësitë ndaj korrupsionit dhe mënyrës së drejtimit të vendit.
Bardhi i bëri thirrje kryeministrit të reflektojë mbi situatën politike dhe mbi kërkesat që, sipas opozitës, po artikulohen nga qytetarët përmes protestave.

