14 DITË PROTESTA/ Berisha thirrje për bashkim mbarëkombëtar: Kjo është lëvizja më e fuqishme që po përballet me diktaturën e Edi Ramës dhe narko-shtetin

Kreu i opozitës Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim të gjatë e të detajuar online me qytetarët, ku hodhi akuza të rënda ndaj mazhorancës duke e cilësuar qeverinë si një "narkoshtet" dhe bëri thirrje për bashkim qytetar në atë që e quan lëvizjen më madhështore të kohëve të fundit në Shqipëri.

Fjala e tij nisi me një falënderim të ndier për administratën e presidentit të zgjedhur të SHBA, Donald Trump, dhe senatorit Marco Rubio, të cilët sipas tij kanë korrigjuar një vendim totalisht të padrejtë.

Një hapësirë e madhe iu kushtua situatës së brendshme, sidomos korrupsionit dhe revoltës së të rinjve. U përmendën afera kolosale dhe raporte të OSBE-së të vitit 2014 që aludojnë për 200 milionë euro të fshehura në banka offshore nga kryeministri Edi Rama. Gjithashtu, u denoncua projekti i Portit të Durrësit dhe ndërtimi i rrugëve me kosto shumë herë më të larta se standardet e Bashkimit Europian, si dhe përfitimet përrallore nga personazhe të lidhur me pushtetin.

Berisha bëri thirrje për mbështetjen e protestave qytetare që po mbahen ditët e fundit, duke lënë mënjanë dallimet politike e partiake.

Situata në shkolla, spitalet në gjendje të mjerueshme dhe pensionet e ulëta u cilësuan si një gjenocid i heshtur që po detyron rininë të largohet.

Përballë kësaj panorame, kryeministri u etiketua si një diktator në rënie, ndërsa asambleja e fundit socialiste u përshkrua figurativisht si një "miting funebër" që vulos fundin e një pushteti të ndërtuar mbi korrupsionin.

PJESE NGA BASHKEBISEDIMI I BERISHES

Berisha: Në të vështirën e jetës sime, në disa aspekte, por e ndërmora atë për të mbrojtur si dinjitetin tim, dhe dinjitetin e të gjithë atyre miliona shqiptarëve të cilët në dekada kishin votuar Sali Berishën më shumë se çdo politikan tjetër të këtij vendi. Në këtë kuadër, unë besoj se bëra detyrën time, si njeri prej jush. Dhe për ta mbyllur këtë, duke falënderuar edhe një herë përzemërsisht administratën e presidentit Trump dhe senatorin Rubio për korrigjimin që i bënë një vendimi fund e krye të padrejtë, ju ftoj të mobilizojmë të gjitha energjitë tona, të bashkohemi në misionin tonë të madh, rikthimin e votës së lirë të shqiptarëve dhe të ardhmes së merituar për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Të dashur miq, prej 13 ditësh Tirana dhe Shqipëria po njohin lëvizjen rinore qytetare më të jashtëzakonshme, më të paprecedent, më madhështore në historinë e tyre. Kjo lëvizje ka në thelb, në esencë, e cila filloi për shkaqe dhe ndjeshmëri qoftë të të drejtave të njeriut, zvarritja e banorit në Zvërnec në mënyrë shtazarake, mungesa e plotë e transparencës për çdo gjë, për çdo zhvillim në atë vend e telat me gjemba...

Kjo lëvizje në fakt është lëvizja më e fuqishme që po përballet me diktaturën autoritare të Edi Ramës, narkoshtetin e tij. Kjo lëvizje që ka në brendinë e vet guximin më të madh të kombit shqiptar, bartësit e të cilit janë të rinjtë shqiptarë. Ka në brendinë e vet ndërgjegjen më të lartë kombëtare, për t'u çliruar nga një regjim autokratik, i cili ka shndërruar zgjedhjet në farsë zgjedhore, i cili arreston në vitin elektoral kreun e opozitës njëlloj si Zaiedi i Tunizisë, i cili ka shndërruar administratën në terroristë politikë të votës së shqiptarëve, i cili ka vjedhur me organizatën e tij kriminale miliarda, miliarda, miliarda euro, dhe mund të jetë sot me pasuri përrallore të fshehura.

Mos harroni një gjë se një raport i OSBE-së deklaroi në vitin 2014 se Edi Rama ka të fshehura në bankat offshore 200 milionë euro. Dhe këto të siguruara të gjitha si kryetar bashkie me leje të ndërtimit e të tjera. Imagjinoni tani, ku ai në pjatë vendosi të gjithë Shqipërinë se sa ka. Imagjinoni... Imagjinoni tani se sa merr ai vetëm me Portin e Durrësit i cili është një pasuri publike e barabartë me rreth 4 miliardë euro dhe e shndërron në Dubai City-n e 1001 netëve të tij.

Imagjinoni ju se sa ka ai... sa ka marrë ai... me rrugë që i ndërton me çmime 6 dhe 8-fish, 10-fish më të larta se Bashkimi Europian. Sa ka plaçkitur ai me aksin e tij ku projektet disbursohen për kunatin e Bashës 100% në një kohë kur punimet janë zero ose afër zeros. Kjo protestë e fuqishme qytetare është protestë e bekuar nga Zoti.

Rinia shqiptare u ngrit, për të gjithë vëllezërit, motrat, bashkëmoshatarët e vet që morën rrugët e dheut dhe ëndrrën e tyre rinore individuale dhe familjare sepse Shqipëria nuk u jepte strehë për ëndrrën e tyre. Të rinjtë dhe të rejat e Shqipërisë po protestojnë sot sepse shkollat janë katandisur... dhe kanë një rënie të tmerrshme të thellë në PISA.

Sepse prindërit e tyre marrin pensionet më qesharake apo rrogat më të ulëta në Europë. Sepse spitalet e Shqipërisë janë spitale të botës jo të tretë, por të katërt me mungesat më elementare. Të tërë këto politika të vërtetë përbëjnë një gjenocid të mirëfilltë të heshtur të kësaj qeverie ndaj shqiptarëve. Duke përfunduar, unë u bëj thirrje çdo demokrati dhe demokrateje, çdo qytetari që ka votuar dhe voton për Partinë Demokratike, por dhe çdo shqiptari që e do këtë vend, që ka dëshirë të jetojë me dinjitet në këtë vend dhe fëmijët e tij të vazhdojnë ëndrrën e tij në këtë vend, të mbështesë këtë protestë.

Ata kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Ajo është një protestë, askush të mos përdorë asnjë pretekst, asnjë pretekst nuk ka të drejtë të përdoret për të mos mbështetur në të tyren. Mos harroni, se ajo protestë është përtej partive politike. Në atë protestë ka qytetarë që s'kanë qenë kurrë në partitë politike, ka të rinj që s'kanë qenë ndonjëherë në forumet e partive politike, por ka dhe dhjetëra, qindra, mijëra anëtarë të forcave politike të qendrës së djathtë dhe të majtë.

Dhe natyrshëm, aty do ketë slogane që një pale do i pëlqejnë dhe një pale tjetër mund të mos i pëlqejnë, por nuk duhet të jenë kurrë ato që të errësojnë pamjen madhështore, misionin e madh të kësaj proteste. Ndaj dhe ai që i thotë vetes shqiptar dhe e do këtë vend duhet të mendojë si ta ndihmojë suksesin e asaj proteste. Mos harroni një gjë, Edi Rama është një diktator, autoritar, qeveris në stilin e etërve të tij.

Do të më falni, e patë ju mitingun e tij të djeshëm? Çfarë ishte ai? Ai aty lexoi elegjinë e vetes së tij. Mitingu ishte një miting funebër, de facto, de facto për të gjithë ata që e ndjekin, ai miting shënoi fundin e partisë së krimit. E një partie që u themelua në krim, e një partie që ndërtoi krimin në sistem, e një partie që vazhdon krimin në të gjitha aspektet. Ndaj dhe ata qytetarë kanë nevojë të jashtëzakonshme për mbështetjen e çdo shqiptari.

Nuk duhet që slogane të... me protagonistë opozitën e opozitës apo grupuskulet e caktuara të dekurajojnë në asnjë mënyrë. Opozita e opozitës është vegël e qeverisë, po ju garantoj që nuk është gjë tjetër vetëm si ajo miza në shpinën e kalit siç thotë Denis Diderot që beson se po tërheq karrocën. Po atë karrocë e tërheqin atë uragan, e tërheq përgjegjësia dhe ndërgjegjja qytetare e të rinjve dhe qytetarëve shqiptarë.