“Jam përdorues”/ I dënuari për shitje k*kaine emërohet drejtor tenderash në varësi të Bashkisë Tiranë (Vendimi)

Santiago Nazari, një zyrtar i rëndësishëm në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit pranë Bashkisë së Tiranës, është pezulluar nga detyra me vendim gjykate, pasi dyshohet se ka kryer shkelje të rënda të ligjit “Për Dekriminalizimit”.

Jam përdorues droge!” Këtë deklaroi Naziri në vitin 2015, kur u arrestua në flagrancë me një sasi kokaine të fshehur në trup, gjatë një aksioni rutinë të Policisë së Tiranës.

Justifikimi i tij nuk u konsiderua nga agjentët e policisë që i vendosën prangat në vend. Gjatë një kontrolli fizik, Naziri, në atë kohë 23 vjeç, iu gjet më shumë se një gram lëndë narkotike, e mbështjellë me një letër varaku.

Në foto: Njoftimi i Policisë Tiranë për arrestimin e Santiago Nazari (2015)
Në foto: Njoftimi i Policisë Tiranë për arrestimin e Santiago Nazari (2015)

Rasti i tij shkoi para gjykatës së Tiranës, e cila gjithashtu pranoi argumentat e Prokurorisë se sasia e drogës që iu gjet Santiago Nazarit nuk ishte thjesht për përdorim personal, por për shitje. Ai u dënua në 2017 me 5 vjet burgim, i cili u ul në 3 vjet e 4 muaj, për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjithësesi, gjykata u tregua tolerante me Nazarin, për shkak të moshës dhe faktit që nuk ishte i dënuar më parë, duke ia konvertuar burgimin në 18 muaj shërbim prove.

Në vitin 2022, Naziri, tashmë më i rritur, arrestohet sërish në flagranc për “prodhim e shitje narkotikësh”. Ndaj tij caktohet masa detyrim për paraqitje. Në vitin 2023, Santiago Nazari arrestohet për herë të tretë, kësaj radhë për “drejtim automjeti në mënyrë të parregullt” dhe sërish caktohet masa “detyrim për paraqitje”.

Në foto: Logo e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Bashkia Tiranë
Në foto: Logo e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Bashkia Tiranë

Pas kësaj “CV-je” jo shumë për t’u pasur zili, Naziai gjen rrugën e duhur dhe përfshihet në administratën publike. Jo pak, por në verën e vitit 2025, ai emërohet Drejtor i Prokurimeve Publike në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit, një strukturë e rëndësishme në varësi të Bashkisë së Tiranës.

Por, për shkak të pozicionit të rëndësishëm, atij i duhej të fshihte të kaluarën e tij problematike. Rasti iu dha kur i duhej të plotësonte formularin e “Dekriminalizimit”.

Në dokumentin që ai nënshkroi dhe dorëzoi pranë Departamentit të Administratës Publike, Santiago Nazari shënon vetëm faktin që ishte hetuar dy herë për “drejtim automjeti në mënyrë të parregullt” dhe se nuk kishte pasur masa sigurimi.

Në formularin e “Dekriminalizimit”, pyetjes “nëse jeni dënuar ndonjëherë me vendim të formës së prerë”, Santiago Nazari i përgjigjet: “Po, dënuar me punë në interes publik, për veprën penale drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”.

Gjithashtu, edhe pyetjeve “nëse keni qenë i ndaluar apo është caktuar masë sigurimi”, Santiago Nazari i është përgjigjur: “Po, masë detyrim për paraqitje për veprën penale drejtim automjeti në mënyrë të parregullt”.

Megjithatë, formulari i plotësuar prej tij u përcoll nga Departamenti i Administratës Publike në Prokurorinë e Përgjithshme, për një hetim më të thelluar.

Verifikimet e kryera nga Sektori i Dekriminalizimit zbuluan një realitet krej tjetër nga ai që kishte shfaqur Nazari.

Më datë 17.07.2015, ky shtetas është arrestuar në flagrancë nga strukturat e Policisë së Shtetit në Tiranë, për veprën penale të parashikuar nga neni 283/1 i Kodit Penal, dhe ndaj tij ka qenë caktuar masë sigurimi personal”, thuhet në aktet e verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Në foto: Pjesë nga verifikimi i Prokurorisë së Përgjithshme
Në foto: Pjesë nga verifikimi i Prokurorisë së Përgjithshme

Në vijim thuhet se, “Në bazë te vendimit nr.403 datë 14.02.2017 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (Santiago Nazari) është deklaruar fajtor për kryerjen e veprës penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, parashikuar nga neni 283/1 Kodit Penal dhe në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedures Penale është dënon me 3 vite dhe 4 muaj burgim. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal është pezulluar ekzekutimi i dënimit me burgim për një periudhe kohe prej 18 muajsh kusht”.

Po ashtu, gjatë kontrollit administrativ të Sektorit të Dekriminalizimit, ka rezultuar se Santiago Nazari, “në bazë të vendimit nr.817 datë 03.04.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është deklaruar fajtor për kryerjen e veprës penale të “Drejtimit te automjeteve ne mënyrë të pa rregullt”.

Mbi bazën e këtij verifikimi, Prokuroria e Përgjithshme e referoi rastin e Santiago Nazirit pranë Prokurorisë së Tiranës, e cila regjistroi procedim penal në mars 2026 për veprën penale të “Falsifikimit të formularëve”.

Me nisjen e hetimit penal, Santiago Nazari largohet nga pozicioni i Drejtorit të Tenderave, por emërohet sërish Përgjegjës Sektori në Drejtorinë Juridike të një tjetër strukture të Bashkisë së Tiranës, në Drejtorinë e Aseteve dhe Inventarizimit të Objekteve.

Në foto: Vendimi i gjykatës së Tiranës për pezullimin nga detyra
Në foto: Vendimi i gjykatës së Tiranës për pezullimin nga detyra

Prokurori i çështjes, Florian Boriçi, i informuar zyrtarisht se personi nën hetim vijonte të ishte funksionar në administratën publike, i drejtohet Gjykatës së Tiranës për pezullimin e tij nga detyra.

Gjykata e Tiranës, në 4 qershor 2026, pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi pezullimin e Santiago Naziri nga detyra./BOLDNEWS