Alarm për mungesën e gjakut në Shqipëri/ Kryqi i Kuq apel qytetarëve: Një dhurim mund të shpëtojë jetë
Çdo vit, më 14 qershor, në mbarë botën shënohet Dita Botërore e Dhuruesve të Gjakut, një ditë që synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut dhe nevojën për rezerva të sigurta për pacientët që kanë nevojë për transfuzion.
Në këtë kuadër, Kryqi i Kuq Shqiptar, në bashkëpunim me Ambasadën e Spanjës në Tiranë, organizoi një aktivitet sensibilizues për të promovuar dhurimin e gjakut si një akt humanizmi dhe solidariteti.
Presidenti i Kryqit të Kuq Shqiptar, Ylli Alushi, u shpreh se, pavarësisht rritjes së ndërgjegjësimit dhe shtimit të numrit të dhuruesve gjatë viteve të fundit, vendi vijon të përballet me mungesa të konsiderueshme të gjakut.
Nën moton “Një pikë gjak, një pikë humanizëm”, fushata e Kryqit të Kuq Shqiptar synon të zgjerojë më tej rrjetin e dhuruesve vullnetarë dhe të garantojë furnizimin e vazhdueshëm me gjak për të gjithë ata që kanë nevojë.
Kjo nismë zhvillohet prej afro tetë vitesh dhe ka bashkuar përfaqësues të trupit diplomatik, qytetarë dhe vullnetarë në mbështetje të kësaj kauze jetike.
Në aktivitet morën pjesë edhe ambasadorë të vendeve të ndryshme. Ambasadori i Spanjës dhuroi personalisht gjak, duke dhënë një shembull konkret për rëndësinë e këtij gjesti human, i cili ndihmon në shpëtimin e jetëve.

